Transmetuar më 18-09-2020, 09:54

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një mbledhje online me Misionin e FMN-së në vendin tonë, në kuadër të Monitorimit Post-Programor. Gent Sejko dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë, biseduan me Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.

Duke u ndalur te situata e krijuar nga karantina e fortë e aplikuar për tre muaj nga kryeministri Edi Rama, z.Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit. Kjo krizë ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik.

Guvernatori tha se relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë, si dhe stabiliteti monetar dhe financiar i vendit, kanë krijuar premisa që efekti i pandemisë në ekonomi të vijë progresivisht drejt reduktimit, duke u shoqëruar me një rimëkëmbje graduale të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim.

Në përgjigje të kësaj krize, Guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe rritjen e masës monetare në ekonomi.

Po ashtu, në bashkëpunim me industrinë bankare, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Shefja e FMN deklaroi se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në afatin e shkurtër mbetet sfiduese, si pasojë e efekteve negative nga tërmeti i vitit të kaluar, si dhe atyre të pandemisë globale COVID-19. Megjithatë, ekonomia shqiptare pritet të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021. /noa.al/