Transmetuar më 18-09-2020, 09:37
Foto ilustruese

Transparenca e munguar është kthyer në një tipar të fortë të komunikimit të ministrisë së Shëndetësisë për situatën e koronavirusit në Shqipëri.

Ajo që haset më shumë në mungesën e transparencës duke u pasuar me manipulim të dhënash është rastet e vdekjeve me COVID-19.

Është e disata herë që rastet e vdekjeve vishen me mister. Jo më larg se pardje, në 16 shtator, Ministrja Manastirliu nëpërmjet një statusi në facebook shprehu pikëllimin për ndarjen nga jeta të Dr. Sefer Dervishit, që humbi jetën pasditen e 16 shtatorit, si pasojë e COVID. Doktori ishte 60 ose 61 vjeç dhe banues në Kavajë.

Çuditërisht, deklarata e ministrisë për vdekjet nga COVID ditën e mërkurë 17 shtator që përmban të dhënat e 24 orëve pararendëse, pra 00-24 të 16 shtatorit, përmendte një 57 vjeçar nga Lushnja dhe dy persona nga Tirana (përkatësisht 74 dhe 83 vjeç). Vdekja e Dervishit nuk gjendej në komunikatë.

Ditën e enjte deklarata përmendte katër humbje jete: 66 vjeçare nga Kukësi, 69 vjeçar nga Kurbini, 70 vjeçar nga Elbasani dhe 72 vjeçar nga Tirana.

Në këtë pikë, mjeku Erion Dasho, thotë se ka dy pyetje për ministrinë dhe komitetin Teknik të Ekspertëve:

"Cili nga të ndjerët është doktor Seferi? A janë duke u raportuar korrekt shifrat e vdekjeve nga Covid në Shqipëri?", pyet Dasho duke hedhur dyshime evidente për manipulim të të dhënave nga MSH.

Sakaq kjo ministri që e drejton Ogerta Manastirliu, nuk raporton kurrë sa njerëz vdesin në shtëpi nga COVID-19. MSH publikon vetëm vdekjet në dy spitalet Covid. Por nuk publikon sa viktima ka në spitalet e tjera, si për shembull në Durrës ku repartet janë mbushur me njerëz të shtruar me koronavirus.

Po ashtu nuk raportohen as vdekjet në azilit shtetërore dhe disa private që ndodhen në Shqipëri. Lind pyetja tjetër, kujt i shërben kjo mungesë transparence? /noa.al/