Transmetuar më 15-09-2020, 22:56

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me atentatin e ndodhur pasditen e së hënës në kryeqytet, ku mbetur i plagosur 51-vjeçari Preng Gjini.

Në studion e emisionit “Opinion” gazetarja Klodiana Lala tha se atentatorët e kanë patur të qartë vendin se ku do e kryenin shpërthimin, si një mesazh për grupet kundërshtare.

“Nga burime të Prokurorisë kam mësuar se Preng Gjini ka udhëtuar sot në drejtim të Lushnjës, ku ka qëndruar disa orë. Më pas ka shkuar në një spital privat dhe më tej është ndalur në parkingun e një universiteti. Atentatorët e kanë patur të qartë vendin ku do e kryenin atentatin, jo vetëm për të vrarë shënjestrën, por edhe për të çuar mesazhe tek grupet kundërshtare”.

Ndërsa policia ka bërë të ditur se lidhur me këtë ngjarje po hetohet pista e hasmërisë, gazetarja Klodiana Lala tha se problemet mes familjeve Gjini dhe Reçi nisin që në vitin 2016.

“Historia nis në vitin 2016, kur është kapur rreth 12 tonë hashash në një kapanon dhe ku mendohej se familjet Reçi dhe Gjini ishin përfshirë. Vëllai i shënjestrës së sotme është hetuar nga prokuroria si pjesëtari më aktiv i bandës së Met Kananit. Tonin Gjini u lirua 72 orë më vonë dhe grupet kriminale ngritën dyshime që ai mund të ketë spiunuar, por kjo nuk u vërtetua kurrë.

Ai u ekzekutua në gusht të vitit 2019, në sy të gruas dhe fëmijëve.  Sa i përket ekzekutimit të Kastriot Reçit, asokohe u mor kampion edhe për disa specialë të Reneas”, tha Lala.