Transmetuar më 15-09-2020, 21:51

Sezon i ri me ndryshime të mëdha, ky që ka nisur në televizionet kryesore shqiptare. Klan e nisi sezonin e ri pa asnjë risi, me të njëjtat figura që ka në vite. Njëkohësisht, disa programe tradicionale mungojnë edhe këtë vit, si ato që identifikonin në vite këtë televizion dhe që ishin spektaklet maratonë të muzikës në fundjavë.

Nuk ka në këtë sezon, kompeticione muzikore dhe për zbulim talentesh. Nuk ka as show muzikorë që mblidhnin shqiptarët çdo javë para ekranit Klan.

Top Channel e nisi në mënyrë të sforcuar këtë sezon të ri. Pasi humbi sezon pas sezoni, emra të rëndësishëm që identifikonin këtë televizion në vite, TCH e nisi këtë sezon me disa nga programet e vjetshme.

Por programet që i kishte në vite patenta të saj, sot ruajnë vetëm emrin, pasi autorët dhe drejtuesit e tyre kanë ikur, si Top Story e Top Show.

Ndërsa programe të tjera që rrëmbenin superaudiencë si Big Brother, mungojnë dhe këtë sezon. Megjithatë Top Channel është kujdesur të mbajë "me shpirt ndër dhëmbë" spektaklin kryesor të humorit, "Portokalli".

Sakaq, ndryshe nga sezoni i kaluar i cili ishte goxha i vakët dhe me prodhime më të pakta, sezoni i ri vjen plot e përplot në televizionin tjetër kombëtar, Vizion Plus.

Dukshëm, emra ikonë të Klanit dhe Topit kanë zbarkuar në Vizion Plus. Alban Dudushi do të jetë tre ditë të javës me Talk Show, pas ikjes nga Top Channel.

Vëllezërit e "Maratonës…", Pandi dhe Bledar Laço të cilët për shumë vite organizonin spektaklet ekskluzivisht në Klan, tashmë janë tek tv konkurrent, Vizion Plus.

Bashkë me Adrian Hilën dhe Klea Hutën ata vijnë të martave në mbrëmje me një spektakël muzikor. "Këngë moj", pritet të sjellë nga fillimi i tetorit, disa dhjetëra këngëtarë të mirënjohur shqiptarë, kudo ata jetojnë, nën moton "T’i gëzohemi jetës".

Kurse Jonida Maliqi sjell të shtunave "Dhomën" e saj me një emision lifestyle të cilësisë së lartë.

Risi tjetër është dhe mbrëmja e vonë e së enjtes me Sokol Bregun e Topit, "Natën e mirë dhe paç fat", një emision investigativ që trajton ndryshe, me fokus dëshmitarët, ngjarjet që ndodhin në vend.

/noa.al/