“Do të flas!” – A mund të shpjegohet heshtja sot, në 80 vjetorin e “Nderit të Kombit”, Reshat Arbana (Video)
Transmetuar më 15-09-2020, 16:22

Në këtë përvejtor të veçantë “Nderi i Kombit” Reshat Arbana meritonte një vlerësim më tepër nga shteti dhe ministria e Kulturës.

Në një kohë kur kultura është lejuar të degradojë, kjo mund të shpjegojë edhe arsyen e mungesës së vlerësimit ndaj tij.

Në vend të heshtjes, sikurse politika as nuk është kujtuar, miq, aktorë dhe artdashës të shumtë kanë zgjedhur secili në dëshirën e tij ta urojnë aktorin e madh, Reshat Arbana.

Ai sot feston 80-vjetorin e lindjes.  Karriera e tij vazhdon ende. Aktorja e teatrit, Flaura Kureta, nxënëse dhe kolege e tij, ashtu si shumë artistë pavarësisht brezave, nuk e ka fshehur krenarinë që ka luajtur krah tij, duke i bërë edhe një urim special për ditëlindje.

Reshat Arbana lindi më 15 shtator 1940 në Tiranë, Shqipëri. Ai është një aktor teatri dhe filmi. Një nga aktorët më popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963.

Pasi i kreu studimet në shkollën e lartë për aktorë “Aleksander Moisiu”, pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë, më 1968, filloi punë në Radio Tirana.

Nga viti 1977 e deri sa doli në pension ishte aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës.

Ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek Fije që priten 1976, Prefekti tek Gjeneral gramafoni 1978, Bimbashi tek Liri a vdekje 1979, Isa Boletini tek Nëntori i dytë 1982, Ahmeti tek Dora e ngrohtë 1983, Adnani tek Hije që mbeten pas 1985, Aliu tek Binarët 1987, Emili tek Rikonstruksioni 1988, Kuke Memini tek Balada e Kurbinit 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek Kush vdes në këmbë 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek Kur hapen dyert e jetës 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987.

Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën Streha e të harruarve.

Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës asokohe, Bamir Topi, i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: "Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.”

Arbana gjatë viteve të fundit ka interpretuar vargje të autorëve të shquar që godasin politikat e mbrapshta, përmes gjuhës së artit dhe zërit të tij të fuqishëm, çka "justifikon" edhe nga kjo, ndoshta mungesën e vlerësimit për Mjeshtrin e Madh të artit dhe kulturës shqiptare, emri i të cilit është gdhendur me germa të arta në panteonin e kinematografisë dhe teatrit shqiptar.

Interpretimi i aktorit Reshat Arbana: Do të flas (Besnik Palnikaj)

/NOA.al