Transmetuar më 15-09-2020, 13:50

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deklaron se me planin e vjeshtë-dimrit, urgjencat kirurgjikale të Tiranës do të vijojnë të mbulohen nga spitali i Traumës, pasi gjatë muajve të epidemisë nuk pati vatra të infektimit.

Gjatë inspektimit që bëri ditën e sotme në Spitalin Universitar të Traumës, ajo deklaroi aktualisht janë 30% kapacitete të lira në dy spitalet Covid, ndërsa në total janë 500 shtretër në dispozicion të trajtimit të rasteve në katër spitalet Covid si dhe do të dyfishohen shtretërit, duke përfshirë edhe disa spitale rajonale nëse do të jetë e nevojshme.

Duke folur për burimet njerëzore, Manastirliu tha se janë punësuar 150 profesionistë të shëndetit në dy spitalet Covid, të cilët po punojnë dhe janë duke u përgatitur për nevojën e strukturës së Covid 3 dhe Covid 4.

Më tej shtoi se në Spitalin Universitar të Traumës ka patur një fluks të konsiderueshëm, me mbi 29 mijë urgjenca kirurgjikale që janë përballuar nga Marsi, gjatë gjithë këtyre muajve të epidemisë dhe se dhe se janë kryer rreth 520 operacione në muaj në këtë spital.

“Në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit dhe në planin tonë aktual ne jemi të përgatitur që të dyfishojmë kapacitetet e shtretërve për të përballuar jo vetëm COVID19 por dhe për rastet që do të jenë me grip, pasi mund të ketë një mbivendosje dhe do të ketë edhe më shumë flukse në spitalet tona. Paralelisht po vijon lufta e përditshme e terrenit, për të testuar çdo kontakt, në mënyrë që të kufizojmë zinxhirin e përhapjes së infeksionit”, tha Manastirliu.