Transmetuar më 15-09-2020, 13:31

Ministrja e Financave, Anila Denaj, bashkë me deputetin socialist Fidel Yllin, i ngarkuar për sportin, dolën në një komunikim publik, pas bojkotit të Superligës së futbollit.

Ministrja Denaj, ftoi ligën e profesionistëve që të ulen për të gjetur zgjidhje.

Ajo sqaroi se dalja publike bëhet për dy arsye, “E para për kërkesat dhe çfarë ka bërë qeveria Rama për sportin në vitin e fundit. Futbolli nuk mund të jetë mjet shantazhi. Kërkesat për investim janë. Nuk është viti i duhur, nuk e pranuam as vjet. Nuk e kemi pranuar edhe vjet. Në ligjin e tatimit të të ardhurave kemi miratuar dy ndryshime. Kemi rritur nga 3 në 5 për qind shumën e zbritshme. Së dyti, për çdo kompani me shpenzim mbi 100 milion lekë, njohim trefishin e sponsorizimit. Kjo është një zgjidhje për financim të shëndetshëm. Kemi folur për formalizim”.

Ministrja shtoi se është folur për informalitetit në tregun e punës, ku nuk bën përjashtim as futbolli.

Në këtë linjë tha se e kuptojmë nevojën për kohë dhe është miratuar që për dy vite të mos njihet tatimi mbi pagën.

“Kërkesa është që të bëhet 10 vite, por është një kohë shumë e gjatë. Kërkesa e tretë është ajo e faljes së kamatave. Jemi të hapur për të diskutuar. Kërkesa tjetër lidhet me Tvsh-në, nga 20 për qind në 6 për qind. E kemi miratuar këtë vit për të gjitha ndërtimet në ambiente sportive. Të kërkosh për çdo shërbim, bëhet fjalë për një kërkesë shumë të zgjeruar”, deklaroi ministrja. /a.y/noa.al