Transmetuar më 15-09-2020, 11:45
Parate e sekuestruara

Sekuestrohen 20 mijë paund të padeklaruara në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në bashkëpunim me autoritetet doganore në hyrje për në Shqipëri, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, B. M., 43 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, policia i gjeti në çantën e shpinës të dyshuarit 20.240 paund.

Kjo bëri që 43-vjeçari të procedohet penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në kuadër të forcimit të masave për parandalimin e trafiqeve, ka intensifikuar ‎kontrollet në pikat e kalimit kufitar, si dhe i bën me dije shtetasve, të cilët kalojnë në PKK të RSH detyrimin ligjor (Ligji Nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”) për deklarimin e vlerave monetare, sendeve me vlerë, apo metaleve dhe gurëve të çmuar, të cilat janë me vlerë më të madhe se 10.000 Euro. /a.y/noa.al