Transmetuar më 14-09-2020, 14:49

Këshilli i Lartë Gjyqësor pezullon nga detyra gjyqtaren Mimoza Margjeka, e akuzuar për korrupsion.

Pezullimi u bë me votë unanime, në mbledhjen e mbajtur ditën e sotme.

Mimoza Margjeka akuzohet se mori 6 mijë euro për të liruar kundrejt garancisë pasurore, një të paraburgosur të akuzuar për veprën penale, “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjyqtarja akuzohet se ka marrë 6 mijë euro rryshfet për të ndryshuar masën e sigurisë për Orion Balin nga “arrest me burg” në “garanci pasurore”.

Aktualisht ajo ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për shkak se ka një fëmijë të vogël.

Në rolin e sekserit u arrestua burri i saj, Arben Cara, avokati Skënder Demiraj si dhe Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla.

Ishte përgjimi i një telefonate e nënës së të paraburgosurit Oriol Bali, Afërdita Bali me vëllanë e tij, Nejton Bali, lidhur me një shumë parash prej 6 mijë euro, të cilat gruaja thoshte se nuk i kishin, para të cilat kërkoheshin për të liruar të riun.

Nga përgjimet rezulton se avokati Skënder Demiraj del në skenë, duke thënë se njeh një biznesmen, djali i të cilit Klaudio Zhilla njeh gjyqtarët.

Kështu sipas SPAK rezulton se paratë janë marrë nga Arben Cara, për t’iu dhënë të shoqes Mimoza Margjeka.

Dorëzimi i parave u bë pasi gjyqtarja ndryshoi masën për Oriol Balin, nga “arrest me burg” në “garanci pasurore”, ku avokati Demiraj telefonoi vëllanë e të arrestuarit, duke i thënë se porosia u krye.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj (në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, duke i dhënë Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, Arben Cara, një shumë prej 6.000 eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, për këtë shtetas. /a.y/noa.al