Transmetuar më 14-09-2020, 13:59

“Faleminderit që jeni këtu, ishte prova më e vështirë e jetës sime”. Janë këto fjalët e thëna për mediat paraditen e sotme nga ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, i cili doli nga spitali ‘San Raffaele’ në Milano, pas 11 ditësh i shtruar me koronavirus.

Ai shtoi se mbështetja që ndjeu, e ndihmoi për të kaluar sëmundjen dhe se mendimet e tij, shkojnë për të sëmurët me covid dhe familjet e tyre.

“Ju bëj apel të gjithëve për kujdes maksimal. E provova vetë rrezikun që shkakton virusin dhe frikën se mos ua ngjit të tjerëve. Apel të veçantë kam për nxënësit që të bëjnë kujdes, pasi sot nis shkolla. Ju uroj suksese dhe të respektojnë rregullat e vendosura. Bëjeni për veten, miqtë tuaj, prindërit dhe gjyshit”, deklaroi lideri i Forza Italia.

Mjeku që ndoqi Berlusconin, Alberto Zangrillo, deklaroi pak ditë më parë se, “Ngarkesa virale në tamponin e marrë nga hundët e Silvio Berlusconit ishte aq e lartë, sa që nëse virusi do e kishte kapur në mars-prill, nuk do të ishte kaq me fat. Me siguri do kishte vdekur”. /a.y/noa.al