Transmetuar më 14-09-2020, 13:06

Shoqja e Eglantina Bucit, vajza e cila u vra 8 vite më parë dhe më pas u gropos në Malin me Gropa, krim për të cilin akuzohen babai dhe vëllai, ka sjellë të tjera detaje nga ngjarja.

Në një lidhje përmes skype për emisionin ‘Me zemër të hapur’ shoqja e 23-vjeçares, në kushte anonimati, tregon se si e kishte njohur Eglantinën në qendrën e Rehabilitimit në Linzë për gratë e dhunuara dhe trafikuara.

Ajo tha se ishte njohur me Eglantinën në muajin shtator të vitit 2010, ndërsa hodhi poshtë ato çka deklaroi vëllai i viktimës, Shkëlzen Buci (i dyshuar si ekzekutori i motrës) ditë më parë.

Shoqja e Eglantinës tha për emisionin se vëllai nuk tregoi të vërtetën, ndërsa shtoi se familja nuk kishte shkuar ta takonte në qendër asnjëherë. Madje ajo tha se shpesh herë Eglantina shqetësohej dhe pohonte se kishte frikë se babai dhe vëllai mos e vrisnin, pasi ajo kishte vjedhur një shumë të madhe lekësh në shtëpi dhe kishte ikur me djalin që donte.

“Jam njohur në shtator të 2010. Pas një fatkeqësie që më ndodhi, policia më çoi në Linzë. Në shtator Eglantinën e sollën në qendër. Nuk kishim shoqëri me të. gocat e tjera hynë në shoqëri me të para meje. Aty u lidhëm të gjitha, rrinim. Në tregoi pak nga jeta e saj. për çfarë arsye kishte ikur nga shtëpia. Në qendër të Linzës nuk lejohen ushqime. Ata nuk kanë qenë kurrë ta takojnë aty, pasi Eglantina kishte frikë nga babai dhe vëllai. “Më kanë thënë se do të vras”- shprehej Eglantina. Për faktin se ajo kishte vjedhur lekë në shtëpi dhe se kishte ikur me një djalë që donte. Nuk i kam hyrë historisë aq thellë. Disa goca të tjera kishin më shumë muhabet me të. Ajo thoshte; “Mora lekë nga familja. Shkova me atë, tani jam ndarë. Kam një lidhje tjetër.” Më duket se i ka vjedhur 12 milionë lekë. Sa i përket nënës dhe xhaxhait s’më kujtohet fare. Një ditë mbaj mend dhe i tha punonjësja sociale se; “Hajde se të kërkon motra në telefon”. E mori Elona. Ne u gëzuam shumë. Kanë pasur kontakt përmes telefonit. Eglantinën e solli policia aty në qendër.”, tha shoqja.