Transmetuar më 14-09-2020, 09:10

Zbardhen një sërë vjedhjesh të ndodhura në Qeparo, Shën Vasil, Nivicë dhe Dhërmi, duke bërë që të vihet në pranga një person dhe të shpallen në kërkim 3 të tjerë.

Në vijim të punës për parandalimin dhe zbulimin e vjedhjeve të banesave, vjedhjeve me forcë të varëseve dhe celularëve, kryesisht në rrugë dhe në plazhe, policia e Himarës zhvilloi gjatë së dielës, operacionin e koduar “Qeparoi”.

Gjatë operacionit u bë kapja dhe ndalimi i 42-vjeçarit Niti Paço, banues në Lushnjë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim A. S., 46 vjeç dhe A.(H.) N., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe K. R., 36 vjeçe, banuese në Qeparo, Himarë.

Niti Paço akuzohet se në bashkëpunim me tre personat e shpallur në kërkim, dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve, të cilat i kanë kryer në vende të ndryshme si banesa dhe ambiente të hapura, konkretisht:

Më datë 31 korrik, në fshatin Shën Vasil, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje banesën e braktisur të shtetasit L. Q., vend në të cilin është gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila dyshohet të jetë e autorëve të mësipërm, pasi këta shtetas e përdornin këtë banesë si vendstrehim gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Më datë 7 shtator, në Himarë, kanë vjedhur dy motomjete në pronësi të shtetasve N. P., dhe T. P. Në të njëjtën ditë dyshohet se kanë vjedhur sendet personale të shtetasit maqedonas Z. T., në hotelin ku ai ishte akomoduar për pushime.

Gjithashtu, katër të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht sende personale të personave të ndryshëm në Dhërmi të Himarës, për të cilat po punohet për dokumentimin e plotë të tyre.

Në përfundim të veprimeve, policia ka sekuestruar disa nga sendet e vjedhura, si dhe sende që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të kryer vjedhjet.

Aktualisht vijojnë hetimet për ngjarjet e tjera ku mund të jenë përfshirë të dyshuarit. /a.y/noa.al