Transmetuar më 12-09-2020, 11:18

OPINION NGA Azgan Haklaj

Zoti Basha shpetoje PD-në nga pushtimi i diversantëve të Sulltan Ramës

Permbysja, as rotacioni nuk ndodh me riciklimin e bijëve të pashallarëve blu

I nderuar z Basha!

Jam i bindur se jam në kohën e duhur për të bërë këtë komunikin publik me Ju, si Kryetar i Partisë Demokratike por edhe si mik e bashkëluftëtar në këto 7- vite, në betejën për mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës lirisë së fjalës e të drejtave të njeriut, të drejtës kushtetuese për zgjedhje të lira me qëllim për të institucionalizuar votën e lirë si gurëthemeli i trupës politike që do të shkapë shtetin nga pushteti i bandave që e ka mbërthyer si oktapod, e për t’i kthyer këtë pushtet popullit që do të zgjedhë me vullnet të lirë e transparent përfaqësuesit e tij në të gjitha nivelet qeverisëse.

Z Basha!

Opozita Shqiptare e bashkuar është shpresa e vetme e këtij populli, i cili ka 7- të vite që qeveriset nga një bandë politike e klonuar në laboratorët e krimit, në një aleancë solide narkotrafikantësh, oligarkësh, kakistokratesh e plutokratesh të cilët po lënë pas një shtet të rrënuar e në institucione të shkatërruara, një tokë të djegur dhe një humnerë ekonomike, duke nxirë imazhin ndërkombëtar të vendit e vënë në pikëpjekje serioze vetë të ardhmen e tij.

E vetmja dritë shprese në fund të tunelit pas 8 vitesh të një rruge të mundimshme e kalvari të gjatë të popullit opozitarë janë zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm.

Është një betejë e pabarabartë që duhet fituar me çdo kusht.

Them e pabarabartë se Sulltani i rilindjes Edi Rama nuk ka më në dorë vetëm egon e shfrenuar për pushtet, por koha tregoj se ai tashmë ka në dorë krejt shtetin dhe institucionet e tij, lumenjtë e parave të drogës, trafiqeve e tenderave, bandat kriminale e sekserët e votës, ndonjë diplomatë të huaj që shitet si juda e më në fund delfinët, apo kontraceptivët e tij që po i invadon në PD nga të gjitha anët.

Këta diversantë që po hyjnë nga dritaret dhe çatia e shtëpisë së lirisë tonë të përbashkët synojnë të ndalojnë fitoren plebishitare të PD dhe opozitës së bashkuar me skenarët e tyre ogur zi, të hartuara në tunelet e Enver Hoxhës në Surrel.

Dollapi e Prençi të cilët kanë përfituar nga rilindja shumë marramendëse për t’i parë në ëndërr e aq me tepër në realitet, në aleancë me "pashallarët," apo etërit blu siç kanë deshirë t’i thërrasin Rulin, Mustafajn, Gjanën, Nishanin, e ndonjë bejler’ tjetër që për shkak të tyre PD-ja u ndeshkua duke kaluar në opozitë, kanë qëllim të instalojnë bijtë, dajallarët e krushqitë e tyre dhe nuk i shqetëson aspak fitorja e PD-së, as mirëqenia e qytetarërëve, por marrja peng e Partisë së shpresës, që pas zgjedhjeve të bëjnë pazaret e radhës.

Mustafaj me mburrje nëpër media u përpoq të na mbushë mendjen së ky "Leonidhë" i kohërave moderne po zgjedh 300 spartanët blu që do të sjellin PD në pushtet.

Por një pjesë e mirë e 300-ve të Besnikut janë familjarët krushqitë e bejlerëve që janë ngritur aty me skenare e jo me qëndresë, që kanë vertetuar së nuk janë spartanë, por mbatharakë, ikanakë prej mejdaneve të lirisë, që vrapojnë si maratonomakë për të ikur e jo për të sjellë lajmin e ngadhënjimit.

Nepotizmi dhe trashëgimia politike nga baballarët tek të bijtë, si ta kishin PD- në çiflig familjarë, lidhjet klano- fisnore nga dy e tre të një shtëpie, dajallarë e tezakë, bazhanakë, e krushqitë e xhemalistëve të rinjë janë fenomen i shëmtuar për një parti të lirisë si PD.

As diktatura staliniste shqiptare, më e egra në Europë nuk ka guxuar të bëjë një gjë të tillë.

A ka gjë më të turpshme se sa diversanti i Ramës Ahmet Prençi të përfaqësojë PD në nivelet me të larta për zgjedhjet e kandidatëve të PD- së, e biles të bëhet dhe deputet i saj.

Unë Azgan Haklaj si deputet i opozitës e kam denoncuar në Parlamentin e Shqipërisë një krim të ndodhur me dt 25 shkurt të vitit 2005, vrasjen e shëmtuar në ambientet e komisariatit të policisë të shtetasit Agim Daka, shkak i të cilit ishte z Prençi, por edhe dirigjenti që realizoj ekzekutimin e tij, me anë të ndjerit Dritan Cuku.

Djaloshi i pafajshëm i cili u rrëmbye në mes tě ditës e u mbajt peng në vend tě vellait u torturua në mënyrë çnjerëzore e u vra me gjakftohtësi nga komisari Dritan Cuku, për dinjitetin e tutorit të tij Ahmet Prençi.

Çeshtja u mbyll se i ndjeri Agim Daka pasi u rrëmbye, u mbajt peng, u masakra në mënyrë kanibaleske, ja rrembeu armën shefit dhe vrau vehten.

Pra fajtorë u shpall viktima.

Shefi ka deklaruar se ma rrembeu armën në pakujdesi, sapo hoqa xhaketën dhe vrau vehten.

Ekspertiza ka deshmuar së i ndjeri është rrahur keqas.

Pyetja lind?!

Kur u rrah Agim Daka?!

Pas vdekjes.

Akoma me e rëndë.

Prençët kanë shkelur kodin e vdekjes, ashtu siç e shkelën besën e malësisë e kodin e nderit, me betimin e rrejshëm para familjes së të ndjerit se e ai ka vrarë veten.

As një ekspert kriminalistikë në botë, madje as Lambroza nuk na mbush dot mendjen se një njeri nën dhunë të vazhdueshme fizike dhe verbale për disa kohë është në gjendje fizikisht t’i rrembejë armën shefit në zyrën e tij.

Për një moment po e pranojmë këtë hipotezë.

Ia rrëmbeu pistoletën shefit në zyrës e tij.

Por nuk mund të dalim mbi ligjet e natyrës e të mohojmë reflekset e kushtëzuara të njeriut, konkretisht vetëmbrojtjen.

Logjika e ftohtë na çon në deduksionin se një njeri që i rremben pistoletën agresorit se pari e vret agresorin.

Në kushtet e tronditjes psiqike mund ta vrasë dhe vehten, por kurrsesi jo, pa eleminuar agresorin që donte ta mbyste me mjete të forta mbretëse, me qytën e pistoletës, siç është vertetuar nga ekspertiza.

Pra Prençët e kanë fshehur krimin.

Shumë e rëndë.

Fatale.

Unë disponoj dokumentin origjinal, aktekspertizën me absurde të botës që bën fajtor viktimën dhe jo agresorin.

Për këtë absurditet do të mbetej pa fjalë edhe Ibseni, dramaturgu i madh, por habia nuk mbaron këtu.

Në aktekspertizë është e shkruar e zeza mbi të bardhë.

Ekspertet për të larë Prençin dhe Cukun nga mëkati shkuan në kombinatin e mishit në Yzberish dhe bënë disa eksperimente duke qëlluar disa herë mbi një derr në distanca të ndryshme deri në 50- metra.

Aty bënë zbulimin e madh se Daka ka qëlluar vehten nga distanca 1 metër.

Sigurisht që derrin e hëngrën vetë dhe i lanë duart si Pons Pilati.

Teksa po shkruaj këtë denoncim të radhës të njërit prej pushtuesve të PD-së vetëvetiu mendja me shkon tek "Ferma e kafsheve" e të famshmit Xhorxh Oruell dhe shprehja lapidare:

"Hani derra pini derra"

Derrat e pushtetit hëngrën derrin e vrarë, shuan familjen Daka të Tropojës, sepse edhe e kunata e tij vdiq në rrethana tragjike, por shtetarët makbethë fshehën krimin dhe tani po pushtojnë PD- në.

Kjo histori rrenqethëse, një nga më makabret e viteve të tranzicionit ka ndodhur në institucionet e shtetit të asaj kohe dhe pati tronditur opinionin politik.

E kam akuzuar atëherë në parlament dhe po e akuzoj dhe sot Prençin e sejmenët e tij Kryetar.

Natyrshëm lind pyetja?!

A ka moral të përfaqësojë imazhin e ri të PD- së ky njëri?!

Prençi ka qenë pushtetar i rilindjes, nga drejtor policie qarku në qeverisjen e PS-së, çuditërisht drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit në qeverisjen e PD- së, drejtor i hetimit tatimor të Shqipërisë në qeverisjen e PS-së.

E kaloj ylberin dhe u bë demokrat.

Z Basha!

Jeni akoma në kohë për të shkatërruar këtë sekt delfinësh të Sulltanit rilindas që kanë desantuar në PD.

Ata janë emisarë të Ramës.

Të njëjtin mision ndaj Sulltanit po kryejnë edhe etërit blu, të cilët në pleqërinë e tyre politike përpiqen të përjetësojnë bijtë e vetë dhe t’ua lanë trashëgim, partinë e parë antikomuniste.

Z Basha!

Jeni kryetar i zgjedhur me votën e gjithë demokratëve të Shqipërisë dhe je fuqiplotë, prandaj ju bej thirrje, ushtro pushtetin që të jep vota e demokratëve.

Vendos.

Shkatërroje këtë merimangë krimi dhe korrupsioni me të cilën po përpiqet Sulltani e misionarët e tij ta okupojnë shtëpinë e lirisë dhe shpresës së shqiptarëve.

Demokratët fisnikë shqiptarë, të perndjekurit politikë, pronarët, që janë shtylla kurrizore e Partisë Demokratike janë me Ju.

Mos hesht Kryetar.

Veproni.

Mos harroni.

Objektivi i fundit i goditjes jeni Ju.

Ngadhënjimi juaj i tremb të gjithë.

Lufta me vetëvehten është beteja më e vështirë por fitorja me e bukur.

Mos e humb betejën pa filluar.

Hapi njëqind për njëqind listat dhe pastrohet vetë PD-ja, e triumfin tuaj nuk e ndalin dot.

/NOA.al