Transmetuar më 10-09-2020, 09:38

Departamenti Amerikan i Shtetit, nxjerr raportin lidhur me klimën e investimeve në Shqipëri.

DASH konstaton si probleme të mprehta çështjet e korrupsionit në administratën publike, mungesën e transparencës sidomos në prokurimet publike, kontrata të vështira për tu zbatuar, korrupsionin në qeveri dhe tek tenderat, rritjen e kontratave PPP që sipas raportit e bënë të pamundur konkurrencën.

“Investitorë të ndryshëm amerikanë janë përballur me çështje tregtare me entitete private dhe publike përfshirë dhe arbitrazhin ndërkombëtar. Në 2019 dhe 2020 një kompani amerikane u largua si pasojë e vendimeve të dyshimta të gjyqësorit dhe vendimmarrjes në pikëpyetje të palëve të tjera në një çështje që lidhet me investimet. Pronat vazhdojnë të jenë problem sidomos çështja e certifikatës së pronësisë. Ka plot raste të individëve që manipulojmë sistemin gjyqësor për të marrë pronat që s’janë te tyre”, thuhet në raport.

Në vijim shtohet se Shqipëria perceptohet si një nga vendet me korrupsion të lartë.

Në gjetjet e DASH konstatohet se, korrupsioni vazhdon të minojë sundimin e ligjit dhe të manipulojë apo frenojë zhvillimin ekonomik dhe se SHBA nuk figuron më vendet e para për investimet e huaja direkte.

“Kjo tregon nivelin e ulët të investimeve amerikane në vend. Qeveria shqiptare ka kaluar disa ligje në lidhje me pronën që janë të pakoordinuara dhe jo realisht efektive. Sipas raportit të progresit të BE vendi ende nuk ka trajtuar siç duhet kompensimin e pronave”, mbyllet raporti i DASH. /a.y/noa.al