Kompania e parë e telefonisë celulare në Shqipëri, pritet të kryejë këto ditë një transformim të rëndësishëm.
Telekom Albania që shumë prej nesh e kujtojnë ende edhe si AMC, në 24 vjetorin e saj bëhet One Telecommunications duke premtuar një epokë të re për më shumë se 1.2 milion abonentë.
Nesër më 10 shtator pritet lançimi zyrtar i One dhe tashmë fushata mediatike ka nisur, për të njohur publikun me ndryshimin e ri.
Këtë të enjte pasdite, shndërrimi i Telekom në One do të vijë tek publiku nëpërmjet një programi me evente. Gjithnjë duke respektuar masat antiCovid, drejtori ekzekutiv Emil Georgakiev dhe aksioneri Elvin Guri do të njoftojnë zyrtarisht brandin e ri. Jo vetëm kaq, në këtë mbrëmje zhvillohet One Show me spektakël dritash në Liqenin Artificial të Tiranës.
One siguron se ky transformim, nuk do të konsistojë vetëm në ndryshimin e markës, por edhe në përmirësimin e të gjithë përvojës së klientit, cilësisë së rrjetit, konceptimit të planeve tarifore dhe produkteve.
Por çfarë ndryshon për abonentët? Noa.al kontaktoi me përfaqësues të kompanisë dhe ju sjell disa informacione të rëndësishme.
Abonentët do të lidhen njëlloj me kompaninë, pra nuk ndryshon as numri dhe as karta e çdo abonenti me parapagesë apo me kontratë.
Një ndryshim që ka nisur është se në celularin ka nisur të shfaqet emërtimi one.al në vend të telekom.al. Po ashtu, shërbimet do të vazhdojnë të ofrohen në të gjithë rrjetin aktual të dyqaneve Telekom në Shqipëri, por tashme me një imazh të ri dhe shërbim më cilësor.
Abonentët do të gjejnë dyqane të rimodeluara, më pak procedura, oferta më të mira, më shumë mundësi, e po ashtu, plot zgjedhje për telefona të cilat do të mund t’i paguajnë edhe bashkë me planet tarifore.
Kompania premton edhe disa produkte të tjera shumë të favorshme që do të lançohen në ditët në vijim dhe noa.al do t’ju informojë në vazhdimësi. /noa.al/