Transmetuar më 08-09-2020, 21:34

Kombëtarja shqiptare Under-21, fiton me rezultatin 3-1 përballë Andorrës, duke mos përsëritur gabimin e kuqezinjve që u mundën mbrëmjen e djeshme përballë Lituanisë me rezultatin 1-0.

Suksesi vjen pas fitores kundër Austrisë me rezultatin 5-1.

Edhe pse u gjend në disavantazh që në minutën e dytë përballë Andorrës në “Elbasan Arena”, skuadra e drejtuar nga Alban Bushi mundi të përmbyste rezultatin, madje të siguronte në fund një fitore bindëse falë golave të Adolf Selmanit, Giacomo Vrionit dhe Emiliano Bullarit.

Në fillim u krijua përshtypja që mund të kishim të njëjtin skenar si të Kombëtares së madhe ndaj Lituanisë, pasi futbollistët e Andorrës pa u mbushur një minutë lojë fituan një 11-metërsh, që e shndërroi në gol Alaez.

Reagimi i kuqezinjve 21-vjeçarë nuk ishte i qartë në fraksionin e parë, por ndryshimi erdhi në pjesën e dytë.

Me këtë fitore Shqipëria ngjitet e treta në Grupin 3 eliminator, pas Anglisë dhe Austrisë, në kuotën e 11 pikëve.