Transmetuar më 04-09-2020, 18:11

Serbia dhe Kosova njoftuan se kanë normalizuar fillimisht marrëdhëniet e tyre ekonomike si pjesë e diskutimeve të ndërmjetësuara nga SH.B.A.

Nga marrëveshja Beogradi zhvendos ambasadën e tij në Izrael.

Pas dy ditë takimesh me zyrtarë të administratës Trump, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ranë dakord të bashkëpunojnë në një sërë fushash ekonomike, për të tërhequr investime dhe për të krijuar vende pune.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë siguroi se Presidenti Donald Trump arriti një fitore diplomatike përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, si dhe në përpjekjen për të përmirësuar pozicionin ndërkombëtar të Izraelit.

"Me të vërtetë, është historike", – tha Trump, duke qëndruar përkrah dy udhëheqësve në Zyrën Ovale. -"Unë pres që të dy t’i vizitoj dhe pas marrëveshjes dy vendet të bashkëpunojnë në një të ardhme jo shumë të largët", – shtoi Trump.

Vendimi i Serbisë për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Aviv në Jeruzalem është një shenjë pozitive për Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara. Administrata Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në fund të vitit 2017 dhe zhvendosi ambasadën e SHBA atje, në maj 2018.

Administrata ka inkurajuar vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë, por është kritikuar gjerësisht nga palestinezët dhe shumë vende në Evropë, sepse konflikti Izraelito-Palestinez mbetet i pazgjidhur.

Kosova, një vend kryesisht mysliman, sipas AP, ende nuk e ka njohur Izraelin dhe as Izraeli nuk e ka njohur Kosovën.

Parlamenti i Kosovës deklaroi pavarësinë nga Serbia në 2008, nëntë vjet pasi NATO zhvilloi një fushatë sulmi ajror 78-ditor kundër Serbisë, për të ndaluar luftën e përgjakshme kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë.

Shumica e kombeve perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por Serbia dhe aleatët e saj, si Rusia dhe Kina nuk e kanë njohur ende atë. Ngecja e vazhdueshme dhe mosgatishmëria e Serbisë për të njohur Kosovën i kanë mbajtur tensionet të larta në stabilizimin e plotë të rajonit të Ballkanit, pas luftërave të përgjakshme në vitet 1990.

"Ne nuk mund të pranojmë asnjë dokument që përfshin pavarësinë e Kosovës dhe kjo është përfundimtare," u tha Vuçiç gazetarëve pas takimeve të Enjten në Shtëpinë e Bardhë.

Serbia dhe Kosova kanë tashmë marrëveshje ajrore, hekurudhore dhe kalimi tranzit, përfshirë edhe atë që do t’i hapte rrugën fluturimit të parë midis Prishtinës dhe Beogradit, në 21 vjet.

Marrëveshja e re përfshin shumë fusha të tjera të bashkëpunimit ekonomik. Udhëheqësit e biznesit në të dy kombet kanë qenë të zhgënjyer dhe kanë biseduar mes tyre rreth mënyrave për të nxitur investime jashtë bisedimeve të vazhdueshme politike të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Të hënën, Vuçiç dhe Hoti kanë planifikuar të shkojnë në Bruksel për të zhvilluar bisedime nën kujdesin e shefit të politikës së jashtme të BE Josep Borrell, si dhe të dërguarit special për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajcak.

Takimi i Shtëpisë së Bardhë ishte planifikuar fillimisht për në qershor, por ai u anulua pasi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili do të drejtonte delegacionin e Kosovës, u padit tre muaj më parë për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare.

/NOA.al

President Trump just announced a historic breakthrough between Serbia and Kosovo!

Publiée par The White House sur Vendredi 4 septembre 2020

"To embark on these talks and to come to Washington to finalize these commitments—by doing so … they've made the world safer."

Publiée par The White House sur Vendredi 4 septembre 2020