Transmetuar më 29-08-2020, 16:24

Në Shqipëri u regjistruan 84 raste të reja me infeksionin Covid-19. Autoritetet shtetërore të qeverisë Rama, thanë se ky numër doli nga 796 tamponë të kryer 24 orët e fundit në vend, si tek shteti, ashtu dhe te privatët. Noa konfirmon se të dhënat i përkasin gjithnjë ditës së mëparshme, pra të sotmet, janë të periudhës 00.00 deri 24.00 së premtes dhe nxirren për publikun pasditen e të nesërmes.

Zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë sërish nuk jep sa janë të tamponuar në privat dhe sa në shtet. Nuk thuhet edhe sa prej tyre janë të sëmurë dhe sa janë pa simptoma. Gjithashtu nuk ka asnjë informacion se në cilat zona të qyteteve janë të infektuarit. E paqartë është edhe nëse ka pasur të infektuar nga zonat rurale, komunitetet me ngjyrë dhe minoritetet.

Gjatë 24 orëve të kaluara kanë humbur jetën edhe katër qytetarë. Në total ka shkuar në 275, numri i atyre që evidentohen si viktima të pandemisë COVID-19.

Aktualisht në dy spitalet Covid gjenden 175 të shtruar si të konfirmuar me koronavirus. Mes tyre, 17 janë në reanimacion dhe nga këta, 9 persona janë të intubuar me frymëmarrje artificiale.

Edhe sot ashtu si çdo ditë tjetër, qeveria nuk tha se sa ishte numri i shtrimeve ditore dhe sa të tjerë lanë spitalet si të shëruar.

Zyrtarisht u tha vetëm se gjithsej 24 orët e djeshme u konfirmuan si negativë nga COVID-19, pra të shëruar, edhe 97 persona, por nuk thuhet sa prej tyre ishin të sëmurë dhe sa e kaluan pa simptoma.

Më poshtë vijon komunikata e plotë zyrtare

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 97 të shëruar, 84 raste dhe 4 humbje jete në 24 orët e fundit

Dr. Rovena Daja, Instituti i Shëndetit Publik

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon mbi situatën epidemiologjike në vend. Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 796 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 84 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 28 raste në Tiranë, nga 12 raste në Shkodër dhe Durrës, 7 raste në Kukës, 5 raste në Elbasan, 4 raste në Vlorë, nga 3 raste në Korçë, Mirditë, nga 2 raste në Berat, Kuçovë, nga 1 rast në Korçë, Kurbin, Kavajë, Kamëz, Divjakë, Malësi e Madhe. 97 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 5020, që nga fillimi i epidemisë. Për të tretën ditë rradhazi, numri i të shëruarve është më i lartë se i rasteve të reja të konfirmuara me COVID19. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 175 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët vetëm 9 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 43 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 69 vjeçar nga Shkodra, 71 vjeçar nga Durrësi, një 77 vjeçar dhe 79 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese, i shprehim ngushëllimet familjarëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel edhe një herë qytetarëve të respektojë në përditshmëri masat për frenimin e përhapjes së virusit: Lani shpesh duart dhe mos e prekni fytyrën; Ruani distancën mbi 1.5 metër në ambientet publike; Vendosni detyrimisht maskën në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk është e mundur mbajtja e distances. Shmangni grumbullimet, ceremonitë e çdo lloji, pasi janë burim i përhapjes së infeksionit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i rikujton gjithashtu bizneset se: Vendosja e maskës dhe barierrave mbrojtëse në shërbim në ambientet e mbyllura është e detyrueshme. Bizneset dhe institucionet publike duhet të zbatojnë me rigorozitet masat dhe protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së infeksionit. Nese dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar, të kontaktoni menjëherë mjekun e familjes ose të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar për çdo informacion tjetër rreth COVID19.

COVID-19 – Statistika (29 Gusht 2020) Testime totale 61214 Raste pozitive 9279 Raste të shëruara 5020 Raste Aktive 3984 Humbje jete 275 (Qarku Tiranë 130, Durrës 39, Shkodër 36, Elbasan 14, Fier 13, Korçë 12, Lezhë 10, Kukës 6, Vlorë 6, Dibër 4, Gjirokastër 3, Berat 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 2065 Durrës 525 Shkodër 284 Fier 142 Lezhë 191 Korçë 175 Vlorë 131 Kukës 136 Elbasan 162 Berat 80 Gjirokastër 41 Dibër 52