Transmetuar më 29-08-2020, 11:40

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja publikoi sot  listën e lojtarëve që ka ftuar për dy ndeshjet e radhës për Ligën e Kombeve.

Për ndeshjet e 4 shtatorit përballë Bjellorusisë dhe 3 ditë më pas me Lituaninë, si risi në listën e kuqezinjve është Ramen Çepele, pjesë e ekipit të të rinjve të Interit. Ai vetëm 17-vjeç ka qenë pjesë e Kombëtares U-16 të italisë.

Trajneri i kombëtares Edi Reja tregoi si e bindi që të vishte fanellën kuqezi duke braktisur të kaltrën italiane. – "Përsa i përket listës, Kumbullën e njihni të gjithë, unë i besoj që tani atij, është i rëndësishëm, përsa i përket Çepeles, unë kisha folur më parë me prindërit, ka qenë e vështirë se ka luajtur me Italinë. Unë e shoh si lojtar që përbën një perspektivë shumë të mirë për Shqipërinë. Ka lindur në Itali. Duke qenë se janë rritur në vende të tjera, presin më parë një ftesë nga vendet përkatëse. Ka disa emra të tjerë interesantë, po presim", – tha Reja.

Trajneri i kombëtares Edi Reja u shpreh se momenti që po jetojmë për shkak të COVID-it është i vështirë duke ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e lojtarëve, ndaj edhe ftoi plot 28 futbollistë.

-"Po jetojmë një moment të vështirë, kam folur vazhdimisht me lojtarët, disa kanë nisur kampionatet, shpresoj që të bëjnë një formë të mirë. Ne po i ndjekim të gjithë lojtarët, do ishte mirë ti kishim të gjithë në grumbullim”.

“Në ndeshjet e fundit kemi treguar se përfaqësuesja po rritet, ka shumë pikëpyetje si do t’i gjejmë lojtarët pas një shkëputje shumë të madhe. Bjellorusia është një nga skuadrat më të forta, më shqetëson gjendja e lojtarëve se nuk i kam parë. Po përpiqemi që të marrim edhe shumë lojtarë të rinj për të arritur objektivin, kualifikimin”, –  tha ai.

Por situata Covid mund të sjellë edhe vështirësi.

-"Lista është shumë e madhe, nuk e di si do të vijnë lojtarët, do i nënshtrohen testeve dhe nëse do të ketë ndonjë pozitiv apo do të ketë probleme fizike, atëherë lista do të pësojë ndryshime deri kur të nisemi për në Bjellorusi. Është një situatë e paprecedent, e paprovuar më parë, nuk patëm mundësi të bënim asnjë miqësore. Ne do të vijojmë të paktën me ato pika të sigurta që kemi pasur para se të ndërpritej futbolli. Sigurisht do të jetë e vështirë, shpresoj që të bëj zgjedhjet e duhura" tha reja, teksa prezantoi edhe listën me 28 lojtarët e grumbulluar.

/NOA.al