Transmetuar më 23-08-2020, 13:45

Thjeshtësia, qytetaria, mjeshtëria, talenti, mirësia, të gjitha bashkë gërshëtohen në një për personalitete të rralla të artit dhe kulturës shqiptare, të tillë si Mirush Kabashi.

Aktori i madh Mirush Kabashi prej rreth dy vitesh luftonte me një sëmundje të rëndë.

Lajmin mbi sëmundjen e tij e dha një punonjëse spitali, e cila publikoi në maj të këtij viti një foto me aktorin e madh.

Ata ndodheshin në ambientet e spitalit ku aktori mbahej edhe në një karrige me rrota.

Aktori aq shumë i pëlqyer për publikun, mjeshtri i madh, sot 72-vjeç, sapo kishte dalë nga një seancë radioterapie, pasi mjeku tha se vuante prej dy vitesh nga një sëmundje e rëndë.

Disa muaj pas shtrimit në spital, fotot e bëra publike në media me aktorin gjatë javës së fundit, në rrugët e Tiranës, tregojnë fatmirësisht përmirësimin e ndjeshëm të shëndetit të tij.

Siç shihet edhe nga foto (fotogaleri), teksa ecën në rrugët e kryeqytetit, Mirush Kabashi i është rikthyer normalitetit dhe përditshmërisë, si më parë.

I veshur sportiv, por i ndihmuar edhe nga një shkop për të ecur, Kabashi ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Mirush Kabashi i përket një brezi të artë aktorësh shqiptarësh, i cili bëri epokë në kohëra të vështira për Shqipërinë./NOA.al