Transmetuar më 22-08-2020, 18:13

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër koronavirusit, duke paralajmëruar se gjatë muajit shtator, rreziku nga infektimi me këtë virus, mund të rritet.

Ndonëse Hoti tha se ditëve të fundit ka pasur rënie të rasteve të reja me COVID-19, (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) situata mund të ndryshojë me kthimin e nxënësve në shkolla gjatë muajit shtator.

“Shtatori është shumë afër kur mijëra nxënës, prindërit e tyre dhe arsimtarët do të jenë në kontakt me njëri-tjetrin, duke e shtuar shumë rrezikun e infektimit”, ka shkruar Hoti.

Deklarata e plotë

Të dashur qytetarë,

Ditëve të fundit, si rezultat i respektimit më të mirë të masave, numri i rasteve të reja me covid-19 ka qenë në rënie. Por, për fat të keq, numri i rasteve me fatalitet mbetet tepër i lartë. Shumë familje po humbin të dashurit e tyre.

Shtatori është shumë afër kur mijëra nxënës, prindërit e tyre dhe arsimtarët do të jenë në kontakt me njëri tjetri, duke e shtuar shumë rrezikun e infektimit.

Prandaj, na duhet kujdes i shtuar. Ju lutem, respektoni masat.