Transmetuar më 18-08-2020, 17:13

(Unë di që nuk di asgjë – Sokrati)

OPINION nga Silvana Begaj

Një ditë isha ngritur të jepja mendimin tim dhe ma nderpreu fjalën dikush, i cili foli pikërisht për lirinë e fjalës.

Ai më mbylli gojën për t’i dhënë liri mendimeve të tij.

Sepse kështu jemi ne, qeniet njerëzore. Eshtë më mirë të gjykosh të tjerët. Sepse thellë thellë brenda vetes e di që, dështimi yt në një objektiv, të bën të kesh një zili të papërmbajtshme për personin që e arriti. Për të qetësuar sedrën dhe ndërgjegjen, truri ynë fillon të shpikë me mijëra mënyra të errëta se si ky person ia doli. Kështu fle me idenë se ti nuk ia dole dhe as nuk u përpoqe, ama dhe mendimin tënd negativ për personin tjetër e, me këtë negativitet, infektove dhe një pjesë jo të vogël të dështuarish. Si sugjerim do t’ju këshilloja të vepronit sipas Bukoëskit i cili thotë: U përpoqa, dështova. Do të përpiqem më shumë që të dështoj më mirë. Sepse ky është sekreti… Të përpiqesh!

Ti mund të thuash shumë, mund të duash të thuash akoma më shumë, nënkupton jashtëzakonisht më shumë dhe në fund…

Të dëgjosh është diçka! Të kuptosh cfarë u tha është dicka tjetër. Ne i shikojmë gjërat në këndvështrime të ndryshme, kuptojmë ndryshe sepse absolutja nuk ekziston. E thënë më qartë ne kemi secili të drejtë nga pak. Sa bukur kur e shpreh kështu!

Duket si një botë perfekte me ngjyra mendimesh shumë. Kupton që botëkuptimi është i pafund dhe ne individualisht shikojmë një faqe të librit, kurse të gjithë bashkë shikojmë tërësinë.

Po negativitetin në cdo gërmë kush ma shpjegon? Nëse dikush shpreh dicka, vjen përgjigja: U bëre ti të flasësh. Kur nuk flet, vjen përgjigja: Ti hesht se je i blerë. Kur proteston të gjejnë dhëmbë e dhëmballë: kush je, cfarë vesh dhe cdo mëkat që mund të kesh bërë në jetë. Tekefundit kush je ti të mendosh?

Më kujtohet historia e kryeplakut të fshatit që i tha fshatarit: The një mendim të mirë, por nuk bëhet se e the ti dhe nuk e thash unë.

Ne të gjithë flasim për lirinë e fjalës. Çdokush ka të drejtë të mendojë, të shprehë çdo ide që nuk cënon dikë tjetër. Në realitet, kur dikush shpreh diçka, niveli ka arritur deri aty sa merremi me personin personalisht, pa u marrë me idenë. Të kundërshtosh diçka tregon nivel pasi çdo gjë perfeksionohet nga kritika. Por në të vërtetë kritikë nuk ka. Ka vetëm një vërshim mllefi dhe inati ndaj individit. Ky mllef është faqja e pasme e zilisë se si, dikujt dhe jo ty, i shkuan në mendje këto ide. Ne të gjithë kemi zinxhirë të cilët nuk i vëmë re. A nuk është momenti ti shtrëngojmë pak ata zinxhirë?

Liria të shprehësh troç cfarë mendon kërkon forcë. Në fund të fundit ti iu thua njerëzve atë që nuk duan të dëgjojnë. A nuk është kjo kërkesë armiqësie?

Askush nuk merret me gabimin, por merret me atë që e evidentoi. Askush nuk meret me fajtorin por merret me atë që e evidentoi. Pse ky negativet? Pasi e keni sharë e kërrdisur dikë ndiheni më mirë? Jeni më të lumtur? Ndryshon gjë në jetën tuaj? Apo në fund të ditës flini me urrejtje?

Pse duhet të tërheqë më shumë vëmendje një boom mediatik se një ide, e cila hap horizonte të reja?

E kjo me lart është në nivel individual. Prandaj, ju lutem mos u ankoni për nivelin publik. Nëse vetë ne demotivojmë dhe mbyllim gojë me ligësi, pse ata që kanë më shumë pushtet mos t’i mbyllin me forcën e pushtetit?

Ja pse yjet bien. Nga trysina! Nga trysnia e negativitetit që rrethohen. E di, bën spektakël ama për këdo që ndjen, si unë, e kupton që një yll vendos të vdesë.

Pemën me fruta e gjuajnë me gur… Por me ato gur s’po vrasim frutet, por po vrasim mirësinë njerëzore.

Tregoni dinjitet dhe pranoni kritikën e arsyetuar! E thënë më saktë: Nëse s´keni ç’ të thoni, qepni sqepin! Infektoni veten dhe më pas dhe gjithësinë me mirësi! Sepse ky virus negativiteti është si të pini vetë helm dhe të prisni të vdes tjetri.

/NOA.al