Transmetuar më 15-08-2020, 23:36

Nga Artan Fuga

Çfarë drame e madhe!

Të dhembin sytë kur i sheh në ekrane!

Shohim bashkëatdhetarët tanë që janë si senegalezë, si sirianë, si afganë në tokën e tyre!

Çfarë është ky ekzil sikur të ishin hebrenj që ikin nga Egjipti!

Ku është deti të hapet nga mrekullia e Zotit?

Ne sikur jemi krenuar që kemi qenë shumë shpirtmirë me hebrenjtë!!! Apo jo me shqiptarët?

Çfarë është ky turp që ndodh me këta njerëz që janë ndofta edhe me dy nënshtetësi, shqiptare dhe greke. Apo për këtë duhet të ndëshkohen dy herë, njëherë kur dalin nga Shqipëria dhe njëherë kur hyjnë në Greqi.

Meqënëse shqiptarët me shtetësi shqiptare dhe shqiptarët me shtetësi greke trajtohen njësoj të dy palët atëhere nuk duhet të shqetësohemi sepse për shqiptarët nuk paska keqtrajtim???

Ka prej tyre që madje paguajnë dy herë taksa!

Çfarë historie tragjike!

A nuk ka ardhur koha që shqiptari të kalojë kufirin me dokumente të rregullta si zotni? Jo si skllav i uritur, i vuajtur, i dërmuar, i palarë, i djersitur, i pangrënë!

A thua se nuk ka mundësi të hapen tridhjetë sportele ku të bëhen teste për qindra vetë në disa orë nën kontrollin e autoriteteve të dy vendeve dhe të OBSH! A thua se nuk mund të hapen në Himarë, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, etj.

Bota qenka paralizuar nga pandemia? Cfarë shakaje!!!

Kundrejt pagesës nuk mund të kalojnë testin e besueshëm këta njerëz!!

Si është e mundur të trajtojmë veten tonë sikur të ishim derra, kope! Jo kope delesh e qingjash sepse ato kalojnë lirshëm në të dy anët e kufirit.

Nuk jemi në 91. Këta qytetarë në pjesën më të madhe janë qytetarë të BE. Ata kanë të drejta politike dhe njerëzore!

A thua nuk kanë më kontakte qeveritë e Greqisë dhe Shqipërisë, sepse vizita të ndërsjella nuk ka prej kohe!

A dimë se çfarë janë notat diplomatike!

A besojmë se Komisioni Evropian ka për detyrë të alarmohet prej shteteve për atë që po ndodh në kufi!

Kujt ja kanë për borxh që të mos informohen cdo çast në telefonat e tyre me sms!

Të kthehen në shtëpitë e tyre???

Të rrinë fshatrave pranë kufirit? Pse kush u ka shtruar jatakun?

Çfarë dëgjojmë!!!

Të humbasin punët në Greqi!

Kjo situatë duhet rregulluar brenda disa orësh veç nëse unë ngatërrohem dhe jam në vitin 1920, në vitin 1941, 1945, 1949, 1994.