Transmetuar më 14-08-2020, 16:08

Vijon të jetë serioze situata me koronavirusin në vend. Në 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë raporton për gjashtë humbje jete, pacientë që prej ditësh trajtoheshin në spitale.

Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 62 vjeçar nga Tepelena, një 63 vjeçar nga Lezha, një 70 vjeçar nga Mati dhe 3 qytetarë nga Tirana; një 73 vjeçare, një 81 vjeçar dhe një 82 vjeçar, tha Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 639 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 146 persona janë konfirmuar pozitive me Covid19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 76 raste në Tiranë, 23 në Krujë, 11 në Fier, 7 në Durrës, 6 në Kukës, 5 në Elbasan, 4 në Shkodër, nga 2 raste në Kurbin, Lezhë, Kamëz, Malësi e Madhe, nga 1 rast Has, Kavajë, Lushnje, Pukë, Tepelenë, Bulqizë.

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 115 pacientë të konfirmuar pozitivë, 16 pacientë janë në terapi intensive, 5 prej të cilëve të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 79 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3695, që nga fillimi i epidemisë. /k.k/noa.al/