Transmetuar më 13-08-2020, 12:06

Një ditë pasi tamponi rezultoi negativ, kryebashkiaku Erion Veliaj është rikthyer në punë, në zyrën e tij prej nga ka rrëfyer betejën që ka pasur me këtë virus. Dhjetë ditët e para për të kanë qenë më të vështira, ku thotë se “i dhimbte çdo kockë”, e ndërsa ka zbuluar se i pari që u infektua ishte djali i vogël, Kajan, bashkëshortja Ajola e më pas dhe ai.

Veliaj thotë se fillimisht u demoralizua, pasi nuk kishte fuqi as të ngrihej nga krevati për të shkuar në tualet, por fatmirësisht ia doli që ta fitonte këtë betejë.

Në një intervistë për Report Tv, Veliaj ka bërë me dije se nga hetimi epidemiologjik, ka rezultuar se ai është infektuar në takimet familjare, teksa ka zbuluar se ka qenë fillimisht djali i tij, Kajan që kishte shfaqur i pasi simptomat, më pas bashkëshortja dhe ai.

“Ishin takime jashtë pune. Asnjë nga kabineti i punës nuk rezultoi pozitiv, kështu që unë isha i vetmi. Ne e kaluam të gjithë në shtëpi, fillimisht u sëmurë djali, me temperaturë 28, menduam se kishte dhëmballë, më pas hetimi profesional tregoi që kishte kaluar ai COVID, bashkëshortja dhe pastaj unë. Dhe u futa në karantinë. Ishin dy javë sfiduese, nuk ia uroj as armikut më të madh. Pak kujdes nuk na bën keq”, tregon Veliaj.

Ai thotë se tani më gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë dhe se ky virus e ka shfrytëzuar për të reflektuar.

“Jam mirë, shumë më mirë dhe më ka dhënë mundësi që të reflektoj që të mendoj se ça është e rëndësishme, dhe ne ndonjëherë i fusim një mendje të lehtë po jam bërë pak serioz për çështjet e shëndetit. Për mua ishte një kambanë alarmi që jo çdo gjë duhet marrë me sportivitet. Ne e harrojmë që të qenit në formë na ndihmon që të jemi familjarë dhe qytetar më të dobishëm”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ka sqaruar se ai është kuruar në shtëpi, nuk është larguar në asnjë vend e aq më tepër në Turqi, siç u raportua në media. Sipas tij, kjo është një “goditje nën brez” nga kundërshtarët e tij.

“Nuk kam shkuar as në Turqi, aq në Itali. E di që kundërshtarët po gjejnë dikë që të kapen, nuk jam kryetar bashkie që ka shtëpi në Hollandë, që për 6 muaj kap 4 vila.

I mëshiroj, i kam falur, apeli për këta kjo gjuhë e urrejtjes, dikë mund ta kesh inat, por munde me ide dhe me punë, por jo me goditje në brez dhe kulturën e përçarjes, duhet të bashkohemi, jo të jemi të përçarë. Kjo gjuha e mllefit dhe urrejtjes duhet të venitet. Ndaj besoj që tipikisht sa herë që kundërshtari ka sulmuar ditë me gjuhën e urrejtje, ka humbur. Nuk jam larguar asnjë ditë nga shtëpia, jo nga Shqipëria”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ka zbuluar se 10 ditët që nga mësoi se ishte prekur me COVID, ishin shumë më agresive, teksa është ndalur të flasë edhe për recetën e tij të të kuruarit.

Ai kujdeset të vërë theksin se kjo recetë është e ndryshme për njerëz të ndryshme.

“Bashkëshortja një javë përpara meje, isha i fundit i familjes, por tani janë shëndosh e mirë. Nuk e kisha menduar kurrë që mijëra njerëz do të kujdeseshin për mua. Jam mirënjohës, në pamundësi për t’iu përgjigjur. Kam pasur 10 ditët e para që më dhimbte çdo kockë, muskul, i pafuqishëm për të shkuar dhe në tualet. E kam parë veten gjithmonë shumë fizik, ishte shumë dekurajuese. Nuk ka pasur asnjë lloj heroizmi, se njerëzit e kalojnë ndryshe. Nuk ka një recetë, s’mund të merrnim një medikamet për shkak të mëlçisë, që nga koha kur isha në grevë urie. Duhet t’i besojmë mjekëve. Hollues gjaku, shtesë në vitamina C dhe D dhe injeksione antiinflamatore. Një infermiere nga spitali publik vinte dhe më bënte injeksione, ajo që dua të them është çfarë është trajtimi i një personi nuk është për një tjetër. Nuk dua të flas për recetën time se çdo njeri e ka ndryshe. Parandalimi është më i rëndësishëm, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ka bërë një apel për të rinjtë, që të tregojnë shumë kujdes, për të mirën e familjarëve të tyre.

“Apeli për të rinjtë në plazh, dashurinë duhet ta tregosh nëse e ruan vetën se mund të sjellësh një fatkeqësi në familje dhe ai merak do të mbetet peng gjithë jetën. Askush nuk është shumë i ri, kur imagjino se dhe bebet mund ta mbartin, dikush që nuk është bebe dhe mund të evitojë kontaktet duhet të sillet si i rritur”, tha Veliaj.