Transmetuar më 10-08-2020, 18:05

Shumë çifte të reja e gjetën veten larg partnerëve të tyre në momentin kur kufijtë u mbyllën si pasojë e koronavirusit.

Nisur nga kjo situatë, Bashkimi Evropian po i kërkon vendeve anëtare të zbusin kufizimet në udhëtim për shkak të Covid- 19, për të lejuar çiftet e pamartuara të ribashkohen pas afro gjysmë viti ndarje.

BE ende nuk i ka hapur kufijtë për të gjitha vendet, përveç atyre të vetë bllokut.

Kjo do të thotë që qytetarë nga këto vende, që nuk janë banorë të BE, nuk mund të vijnë në BE.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se Brukseli e ka ngritur çështjen që ka prekur shumë njerëz, atë të përjashtimit të partnerëve të pamartuar të qytetarëve të BE nga kufizimet në udhëtim.

“Nën situatën aktuale ligjore, vendet anëtare mund të lejojnë partnerët e pamartuar të hyjnë në BE nëse duan. Ne inkurajojmë vendet anëtare ta përdorin këtë mundësi. Aktualisht vetëm një numër i vogël vendesh anëtare e bën këtë”, tha ai. /k.k/noa.al/