Transmetuar më 10-08-2020, 10:05
Lenda narkotike e sekuestruar

Një operacion antidrogë i policisë së Tiranës i koduar “Porosia”, ka vënë në pranga një person të kapur me 1 kilogramë heroinë.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, efektivët e komisariatit Nr.3 finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Porosia”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i E. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Kapja e tij u bë pasi u siguruan informacione në rrugë operative se në një banesë në rrugën “Asdreni”, kishte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit heroinë dhe peronat që e dispononin ua shisnin shpërndarësve sipas porosive që bënin.

Kështu u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit E. Z., ku policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 kg e 75 gramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një aparat celular dhe një automjet.

Aktualisht vazhdon puna intensive për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale, identifikimin dhe kapjen e  personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al