Transmetuar më 09-08-2020, 13:45

Ka zgjedhur të jetojë ndryshe nga shumë moshataret e saj. Të mbijetojë përmes punës, edukimit dhe librit, ndonëse kjo zgjedhje perceptohet e vështirë në vendin tonë.

Një vajzë e re, e ngarkuar me libra, është vetëpunësuar në këto ditë të nxehta, për të nxjerrë të ardhura që do t’i duhen për shkollë.

Gazetari Granit Sokolaj, nga plazhi i jugut, ku ai ndodhet ka shkrepur foton e vajzës që është ngarkuar në mes të vapës me libra dhe shëtit bregdetit, për t’i shitur pushuesve, ndërsa moshataret e saj e shumë të tjerë pushojnë e relaksohen.

"Një vajzë për t’u marrë shembull!!! Në pikën e vapës, ka zgjedhur të ecë brigjeve të Jonit, me nje stive librash në krah dhe shumë të tjera në çantë", shkruan Sokolaj.

"Shijon detin nga larg, duke nxjerrë ndoshta të ardhurat për shkollën e saj, pa pritur se cili emigrant do vijë nga Anglia apo Zvicra e t’i ofrojë pushimet e Drimadhes, Jalës apo Ksamilit, nga ku mund të postonte foto të bukura, trupin e vajosur dhe me tanga apo pjatat me prodhime deti përpara", – ironizon gazetari, me fenomenin e njohur për sjelljet e shumë prej moshatarëve të saj.

"Ka zgjedhur të mos jetë “skllave” ofertash, por shitëse lëvizese librash", – mbyll reagimin gazetari Sokolaj.

/NOA.al