Transmetuar më 08-08-2020, 21:19
Dritan Dajti

Si sot, 11 vjet më parë, u vranë katër efektivët e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari.

Ata mbetën të vrarë gjatë aksionit për kapjen e Dritan Dajtit, i cili edhe sot përballet me drejtësinë për këtë çështje.

Dhe pikërisht sot, kur politikanët kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, politika ka marrë shkas për të hedhur akuza.

Ishte numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ai që menjëherë pas një reagimi të Lulzim Bashës, bëri përgjegjës edhe këtë të fundit për atë që ndodhi në vitin 2009.

“Nderim dhe respekt dëshmorëve. Ne nuk harrojmë se dora kriminale e lidhur me LBPD në zgjedhjet e 2009, u mbështet nga “komandanti” policisë që tradhëtoi dëshmorët. Ky u gradua&promovua nga Lulezim Basha Ministër i Brendshëm vetëm një muaj më pas. Drejtësia vonon, por s’harron”, shkroi Balla në Tuiter.

Në replikë më të, Edi Paloka e konsideroi reagimin e Ballës si tërheqje vëmendje nga politikanët që sipas tij po blejnë lirinë e Dritan Dajtit.

Paloka ngre edhe disa pyetje.

“Pse i dogji Taulant Ballës reagimi i Lulzim Bashës?  Pse kërkoi Balla ta heqë vëmendjen nga politikanët qe po blejnë lirinë e Dritan Dajtit përmes gjyqtarëve dhe prokurorëve të kapur prej tyre?

Kë po mbron Taulant Balla dhe pse i intereson kaq shumë lirimi i Dritan Dajtit?

Çfarë di ai për komunikimet e shefit të tij me Dritan Dajtin në burg? A ka lidhje me tenderat që Dritan Dajti po fiton nga burgu?

Sa për të tjerat, 7 vite në pushtet kanë qenë të mjaftueshëm për të zbardhur gjithçka lidhet me këtë ngjarje, pas të cilave Taulant Balla kërkon të fshehë krimin e lirimit të Dritan Dajtit dhe rivrasjen për së dyti të 4 oficerëve të policisë.

Ndarja e politikës nga krimi, duke nisur me Taulant Ballën dhe goditja pa mëshirë e krimit të organizuar është detyrimi ynë më i madh. Drejtësia do të bëhet”, ka shkruar Paloka në Facebook. /k.k/noa.al/