Transmetuar më 08-08-2020, 10:05

Thyen masën e sigurisë "arrest në shtëpi" dhe kryenin vjedhje gjatë natës, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Vihen në pranga dhe dy shtetas të tjerë, për dhunë në familje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Gjithashtu policia e Durrësit procedoi penalisht edhe një 34-vjeçar, për veprën penale "Ndotja e ajrit".

Policia procedoi penalisht për veprën penale "Ndotja e ajrit", shtetasin E. K., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në servisin e tij për lyerje mjetesh, u konstatua se shkaktonte ndotje të ajrit.

Sakaq, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. P., 17 vjeç dhe A. Gj., 15 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 7 gusht 2020, në lagjen nr. 13, Durrës, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dyqanin e shtetasit P. N., ku kanë marë 30.000 lekë.

Gjithashtu këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më 6 gusht 2020, në lagjen nr. 13, Durrës, dyshohet se kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasit A. D., 18 vjeç dhe E. Zh., 16 vjeç, banues në Durrës, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasit M. P. dhe A. Gj., me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ishin me masë sigurie "Arrest në shtëpi", por e kishin thyer atë duke dalë jashtë banesës.

Po ashtu policia Durrës në vijim të punës për parandalimin dhe përshkallëzimin e dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 62 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë shtetasin A. O., 44 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, pasi duke drejtuar në gjëndje të dehur, në masë 0.81 mg/l mjetin tip "Ford" është përplasur me mjetin tip "Kia", duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme

/NOA.al