Transmetuar më 07-08-2020, 17:24

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka dalë në mbështetje të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, të cilën e nxit të vazhdojë hetime për çdo çështje.

Në mesazhin e selisë diplomatike thuhet se pavarësisht kush është i pandehuri, SPAK duhet të vijojë punën pa kërcënime dhe kanosje.

“Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.

Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”, shkruhet në faqen e Ambasadës në Facebook. /k.k/noa.al/