Transmetuar më 06-08-2020, 13:11
Emiljano Shullazi

Mbyllja e Emiljano Shullazit në regjimin e izolimit “41 bis”, ka bërë që avokati i tij të ankimojë vendimin.

Avokati Vladimir Meçe, ka ankimuar vendimin për izolimin e klientit të tij, duke renditur edhe arsyet pse e kundërshton.

Në argumentin e Meçes citohet se ajo që thuhet në Urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë për Emiljano Shullazin se “subjekti mban komunikime me organizatën kriminale ky bën pjesë dhe me organizata të tjera, si edhe me të paraburgosurit e tjerë që i përkasin të njëjtit grup me të cilët bashkëpunojnë” është e paplotë dhe nuk vërteton qëllimin e këtyre kontakteve apo komunikimeve.

Sipas tij, Emiljano Shullazi ka qenë i paraburgosur te 313 dhe bashkë me të ka qenë nipi i tij Endrit Zela, shoku i tij i fëmijërisë Gilmando Dani dhe kushëriri i tij Blerim Shullazi, të këta sipas gjykatës së shkallës së parë “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”.

“Nëse ministri e ka fjalën për këta persona të cilët ‘janë pjesë të së njëjtës organizatë kriminale” kujtojmë se mes qenieve njerëzore ka edhe marrëdhënie njerëzore, daja do të takojë nipin e tij, do të kujdeset për të dhe kjo nuk mund të quhet organizatë kriminale dhe as e kundërligjshme’. (…). Emiljano Shullazi ka qenë i punësuar në bibliotekën e Burgut, nuk ka asnjë vërejtje apo masë disiplinore për shkelje të rregullore. Si mund të shpjegohet që ky individ një ditë të bukur si “rrufe në qiell të pastër” u bë “Armiku publik që duhej të izolohej patjetër në regjimin 41 bis”, argumenton Meçe.

Ankimimi i vendimit vjen pasi që nga 1 gusht, Emiljano Shullazi, bashkë me pjesëtarët e tij të bandës, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, janë mbyllur në qelitë e izolimit, në kuadër të nisjes së regjimit “41 bis”.

Krahas bandës së Shullazit në izolim janë mbyllur edhe Arbjon Aliko dhe Genci Balla.

Çështja në ngarkim të Shullazit është aktualisht në Apel, pasi në nëntor të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë të pandehurit, duke dënuar Emiljano Shullazin, me 14 vite burgim, Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg. /a.y/noa.al