Transmetuar më 06-08-2020, 08:58

Vihen në prangat e policisë dy vëllezër të dyshuar si autorët e vrasjes së 71-vjeçarit Abdulla Budlla, në zonën e Fushë Prezës në periferi të Tiranës.

“Brothers” (Vëllezërit) u kodua operacioni i policisë së Tiranës, për zbardhjen e krimit të ndodhur më 3 gusht, në rrugën nacionale Fushë Krujë- Vorë, në kryqëzimin e rrugës së Rinasit, ku u vra me armë zjarri 71-vjeçari.

Si të dyshuar për krimin u vunë në pranga Sajmir Shera, 32 vjeç, i dënuar më parë dhe Arsil Shera, 20 vjeç, banues në Rinas, Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë operacionit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe mjetin që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.

Gjithashtu, po gjatë zhvillimit të këtij operacioni dhe kontrolleve të befasishme të kryera në disa banesa të dyshuara, policia arrestoi në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, G. Ç., 29 vjeç, lindur në Fushë Krujë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e biznesit të 29-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material: një armë zjarri pistoletë, një shotgun, 60 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një sasi të konsiderueshme në lekë, euro, paund, dollarë e franga zvicerane, një aparat celular dhe një automjet tip “Mercedes Benz”.

Nën drejtimin e Prokurorisë Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Ngjarja ndodhi në Fushë Prezë, në kryqëzimin që të çon drejt aeroportit të Rinasit, ku viktima punonte me mjetin e tij si taksist në të zezë, pa licencë. Nga verifikimet e policisë rezulton se viktima nuk kishte probleme me drejtësinë.

E njëjta gjë u zbulua edhe për tre djemtë e tij të cilët rezultojnë “të pastër”. /a.y/noa.al