A duhet të ushqejnë me gji nënat me koronavirus, çfarë njofton Ministria e Shëndetësisë
Transmetuar më 05-08-2020, 11:29

Gratë shtatzëna dhe me fëmijë të vegjël. janë përfolur shpesh në këtë periudhë të pandemisë prej koronavirusit.

Lidhur me dilemat që ekzistojnë, në javën botërore të ushqyerjes me gji, Ministria e Shëndetësisë sqaron nëse një nënë e infektuar mund ta ushqejqë fëmijën me gji.

“Po! Përfitimet e shumta nga kontakti fizik dhe fillimi i hershëm i ushqyerjes me gji i tejkalojnë ndjeshëm rreziqet e mundshme të transmetimit të sëmundjes së lidhur me Covid-19. Ushqyerja me gji përmirëson mbijetesën e foshnjës, siguron shëndet gjatë gjithë jetës dhe ka avantazhe të padiskutueshme në zhvillimin e fëmijës. Ushqyerja me gji përmirëson gjithashtu shëndetin e nënave duke i mbrojtur ato nga disa sëmundje”, thotë MSH.

Më tej për gratë me COVID-19 të cilat kanë fëmijën në gji këshillohet që:

-Të lajnë duart shpesh me ujë e sapun ose t’i dezinfektojnë ato me pastrues duarsh me bazë alkooli;

-Të mbajnë maskë gjatë çdo kontakti me beben;

-Të teshtijnë apo kolliten në një shami letre higjienike njëpërdorimshe;

-Të pastrojnë dhe dezinfektojnë rregullisht sipërfaqet e prekura.

-Nuk duhet shmangur ose ndaluar ushqyerjen me gji, ndaj një grua me COVID-19 duhet të mbështetet për ushqyerjen e sigurt me gji; Mbajtjen e të porsalindurit të saj në kontakt me lëkurën dhe mbajtjen e fëmijës afër saj në të njëjtën dhomë. /a.y/noa.al