Transmetuar më 16-07-2020, 07:46

Bashkimi Europian i jep Shqipërisë të paktën 100 milionë euro çdo vit dhe me këto fonde janë bërë shumë ndërhyrje në fusha të ndryshme, përfshirë rrugë dhe vepra arti që përshkojnë në rajone të ndryshme të vendit. Megjithatë pak njerëz e dinë se këto ndërtime janë financiar nga BE.

Këtë konstatim e ka edhe vetë Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë. Ambasadori Luigi Soreca foli sot nga Vlora, mbi këtë argument duke pohuar se shumë shqiptarë nuk e dinë se Europa ka sjellë dhe vazhdon të sjellë fonde të cilat janë përkthyer në vepra që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Soreca u ndal në raste konkrete: "Vetëm në 10 vitet e fundit, BE-ja ka investuar mbi 50 milionë euro në Vlorë me rezultate të jashtëzakonshme.

LungoMare ishte një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Ai e rimodeloi tërësisht Vlorën, hapi bregdetin për pamje të mahnitshme, e bëri infrastrukturën miqësore me mjedisin dhe, mbi të gjitha, ndryshoi jetën dhe biznesin e shumë banorëve", vuri në dukje Soreca.

Jo vetëm kaq, tani po punohet për një tjetër projekt të rëndësishëm: bypass-i i Vlorës. "Sapo jemi kthyer nga një vizitë me kontraktorët dhe inxhinierët, dhe unë jam i lumtur që shoh se puna po përparon shumë shpejt. Bypass-i do ta ndryshojë qytetin e Vlorës ashtu siç bëri LungoMare. Ne jemi krenarë të investojmë në një projekt që po përdor teknologjinë më të përparuar në shërbim të qytetarëve shqiptarë", tha ambasadori i BE.

Edhe pse është dëgjuar e folur shumë për këto investime, sidomos nga qeveria, shumë pak njerëz e dinë se ato janë financim i BE. Këtë pyetje e shtron dhe Soreca: "Por a e dinë të gjithë se është Bashkimi Evropian që po e financon bypass-in e Vlorës?"

Ambasadori konstaton se "shumica e njerëzve nuk e dinë këtë dhe për fat të keq kjo ndodh shpesh me mbështetjen tonë financiare. Vetëm për rrugët, BE-ja ka investuar më shumë se 110 milionë euro në 10 vitet e fundit, duke ofruar 700 km rrugë në të gjithë vendin".

Ka shumë të ngjarë që, çdo ditë dhe pa e ditur, ju udhëtoni në një rrugë që e ka financuar BE-ja. Kjo përfshin infrastruktura të mëdha si bypass-in e Rrogozhinës, por edhe kilometra rrugësh rurale që kanë siguruar një qasje më të mirë në tregje, infrastrukturat shëndetësore dhe arsimore, si dhe kanë zvogëluar kohën e udhëtimit dhe koston e transportit.

Programi i BE për të përmirësuar rrugët dytësore e ka shkurtuar kohën e udhëtimit në zonat rurale me gati 40%.

Pikërisht këto fakte, nxitën BE të lançojnë nismën “Evropa është këtu". "Sigurisht, "Evropa është këtu", sepse Shqipëria është një vend evropian. Por, "Evropa është këtu", sepse BE-ja tashmë është e pranishme kudo në vend, duke përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe duke i afruar më shumë standardet me ato të BE-së. "Evropa është këtu" si 61 yjet e BE-së në hartën shqiptare!", tha Soreca.

Bashkimi Evropian i jep mesatarisht 100 milionë euro Shqipërisë çdo vit. Kjo do të thotë 1,5 miliardë euro – në grante të drejtpërdrejta – gjatë 15 viteve të fundit, duke mbuluar të gjithë sektorët e mundshëm: peshkimin, drejtësinë, sigurinë e ushqimit, antikorrupsionin, doganat, bujqësinë, arsimin dhe shumë më tepër.

Kjo e bën Bashkimin Evropian donatorin më të madh në Shqipëri. Soreca thotë se gjërat në vijim do të jenë më të dukshme: "Në 6 muajt e ardhshëm, ne do t’u japim vizibilitet ndryshimeve pozitive që kjo ndihmë financiare ndihmon për të arritur. Nga sot dhe deri në dhjetor, ne do të shqyrtojmë se si mbështetja jonë për Transportin /Infrastrukturën, Mjedisin dhe Bujqësinë e ka ndryshuar vendin.

Më 25 mars të këtij viti, Bashkimi Evropian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Soreca thotë se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ndryshoi rrënjësisht atë ditë.

Komisioni Evropian tashmë ka paraqitur kornizën e bisedimeve, e cila po diskutohet me Shtetet Anëtare deri në miratimin e saj nga Këshilli. Integrimi i vendit në BE nuk është më një aspiratë. Ai po ndodh konkretisht.

Me këtë zhvillim të ri, Soreca thotë se "ndihma jonë financiare bëhet edhe më e rëndësishme, pasi do të mbështesë ndryshimet e thella që vijnë nga negociatat e anëtarësimit. Ekonomia do të duhet të modernizohet, sektorët e aktivitetit do të duhet të harmonizohen me standardet e BE-së, administrata e tyre do të duhet të reformohet thellësisht. Shqipëria nuk do të bëhet një vend i BE-së ditën e anëtarësimit; ajo po bëhet tashmë e tillë, përmes çdo hapi që e afron edhe më shumë me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian.  Dialogu ynë politik me Shqipërinë është njëra anë e këtij procesi; ana tjetër është mbështetja e pakrahasueshme financiare dhe investimi që BE-ja sjell në këtë vend, për një arsye shumë të thjeshtë: për të mbështetur një Shtet Anëtar të ardhshëm", nënvizoi ambasadori Soreca. /noa.al/