Transmetuar më 31-07-2020, 15:18

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar për qëndrimet e ministres Elisa Spiropali ndaj zëdhënësit të Partive Popullore Europiane, Michael Gahler.

Paloka e quan sulm nga ana e Qeverisë atë që tha Spiropali, dhe turp për Edi Ramën. Paloka shkon më tej duke akuzuar se zyrtari europian po trajtohet si armik nga Qeveria shqiptare.

“Sulmi i qeverisë ndaj zëdhënësit të Partisë Popullore Europiane, Michael Gahler, është një turp për Edi Ramën. Michael Gahler është një mik shumë i mirë i Shqipërisë. Është një nga shumë miqtë e PPE-së në Parlamentin Europian, i cili ka ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit, sa herë ka patur nevojë. Këtë rrugë Edi Rama po e bën shumë të vështirë, e ka bllokuar prej gati 7 vjetësh, vetëm për interesin personal.

Është e pandershme që qeveria ta trajtojë mikun gjerman si armik, vetëm pse Michael Gahler tha të vërtetën”, thotë Paloka në një reagim për mediat.

Sipas tij, “me ndryshimet e njënashme kushtetuese marrëveshja e arritur me opozitën u zhbë, partnerët nga BE dhe vendet anëtare nuk u dëgjuan, rregullat e lojës për zgjedhje u ndryshuan në mënyrë të njëanshme”.

Në deklaratë thuhet se “tradhti ndaj interesave të shqiptarëve është të shpërfillësh paralajmërimet e Bashkimit Europian dhe të izolosh vendin. Fyes dhe kriminal është përdorimi i disa deputetëve pa mandat si fasadë për llogaritë e Ramës kundër interesit të shqiptarëve”.

Paloka e mbyll me një thirrje për Spiropalin.

“Dhe një sqarim të fundit vetëm për “nafijen e partisë”, Elisa Spiropalin. Kur Edi Rama të të sjellë gati tekstin e sulmit për ndonjë mik tjetër të Shqipërisë, kërkoji foton e saktë. Ky që të kanë dhënë, nuk është Michael Gahler”. /k.k/noa.al/

Ndryshimet kushtetuese, PPE thirrje Ramës: Të mos mohohen këshillat e BE

Spiropali i përgjigjet zëdhënësit të PPE: Mos fyej parlamentin shqiptar, në emër të Bashës