Transmetuar më 30-07-2020, 18:36

Me 106 vota pro dhe 10 kundër parlamenti votoi sot ndryshimet kushtetuese. Ndërsa 6 deputetë munguan sot në seancë, disa prej të cilëve të prekur nga COVID-19.

Pra votimi në hramoni të plotë, nuk zhgënjeu as jashtë sallës, siç edhe tregojnë fotot.

Ishte ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, i cili mungoi për disa kohë dhe u pretendua se ishte prekur nga koronavirusi. Për të sfiduar zërat, Çuçi u pa të ecte maskë në rrugë.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, shoferi i cilës gjatë javës së fundit humbi jetën nga COVID, e hoqi maskën vetëm në momentin kur nuk ishte e shoqëruar me të tjerë.

Deputeti Spartak Braho shtroi një drekë pas seancës, teksa mori edhe një dekoratë, në një tryezë ku nuk respektohej as distanca dhe nuk mbahej as maska.

Edhe pse kryeministri Edi Rama akuzoi gjatë fjalës së tij një pjesë deputetësh të opozitës parlamentare, si "ballistë pa lidhje" , jashtë i akuzuari dhe të tjerë dukeshin në harmoni me kolegët socialistë.

Në kafe nuk kishte si të mungonte Bashkim Fino, teksa tymoste një puro, bashkë me kolegë të tjerë.

Dhe ana sportive nuk mund të mungonte në këtë seancë: Deputeti Xhemal Qefalia i dorëzoi sot kapelen e Tiranës zv.kryeministrit Erion Braçe, i cili njihet si tifoz i thekur i Partizanit. Ai ia bëri dhuratë atë, pas titullit kampion që siguruan dje bardheblutë.

/NOA.al