Transmetuar më 30-07-2020, 14:18

Kryeministri Edi Rama reagon ndaj deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha, i cili e cilësoi votimin e sotëm të ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave zgjedhore dhe formulën e re të koalicionit si shkelje të Kushtetutës.

Referuar deklaratës që Basha bëri i shoqëruar me aleatët, Rama shkruan, “LBPD&CO duhet të ulen menjëherë me PS dhe opozitën parlamentare për të punuar për reflektimin në ligjin zgjedhor të risive kushtetuese! Ato s’janë më projekt, po pjesë e Ligjit Themeltar të Republikës sonë dhe janë të detyrueshme për të gjithë ne, pa dallim! Prandaj në punë. Ne nuk ndalemi sepse nuk jemi zgjedhur për t’i shkuar mbrapa atyre që ikin në drejtim të paditur, po për të udhëhequr Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e të ardhmes”.

Ai thotë se në tryezë i ul përgjegjësia ndaj vendit dhe popullit, arsyeja e kultura demokratike dhe jo dënglat kërcënuese.

Me një deklaratë të prerë, Rama thotë se nuk ka kohë për të humbur dhe se puna duhet të fillojë që nesër.

“Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese në këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!”, deklaron Edi Rama. /a.y/noa.al

Ndryshimet kushtetuese, Basha: Të papranueshme! Nuk janë të detyrueshme për opozitën

Listat e hapura dhe koalicionet, miratohen me 106 vota ndryshimet kushtetuese