Transmetuar më 30-07-2020, 11:36

Tre shqiptarë të cilët dyshohet se kryenin grabitje me armë në fshatrat grekë janë vënë në prangat e policisë.

Operacioni u kodua “Kamitsiani” dhe u zhvillua nga Policisë Kufitare shqiptare, asaj greke dhe policisë së rendit.

Falë shkëmbimit të shpejtë të informacionit se në fshatin Kamitsiani të Greqisë ishte vjedhur një banesë nga disa shqiptarë, të cilët dyshohet se e kryenin këtë veprimtari në mënyrë të përsëritur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kamitsiani”.

Në kuadër të këtij operacioni, u bë arrestimi i Ervis Pjetri, 30 vjeç, Mateo Baku, 33 vjeç dhe Aleksandër Muharremi, 35 vjeç, të tre me banim në Burrel.

Këta shtetas janë kapur nga policia shqiptare në hyrje të Livadhjasë, Sarandë në tentativë për t’u larguar nga fshatrat greke, duke përdorur një automjet për t’u futur në Shqipëri.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 laptop, dylbi, doreza duarsh dhe materiale të tjera që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet.

Nga hetimet e kryera dyshohet se tre të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer disa vjedhje të tjera në fshatrat përreth dhe policia po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë Sarandë, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. /a.y/noa.al