Transmetuar më 30-07-2020, 10:42
Foto ilustruese

Mbërrin sot nga Italia, një delegacion për t’i ofruar Shqipërisë ndihmesë shëndetësore dhe teknike në përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 në vend.

Kjo ndihmë vjen pasi Shqipëria ishte ndër të parat vende që i shkoi në ndihmë shtetit fqinj me ekipe mjekësh dhe infermierësh, në ditët më të ashpra të betejës me koronavirusin.

Task forca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga gjashtë ekspertë do të zhvillojë një veprimtari dypalëshe për një periudhë 14 ditore nga data 30 korrik deri në datën 13 gusht grupi i ekspertëve do të zhvillojë veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid.

Krahas grupit të mjekëve dhe të infermierëve, me avionin e Guardia di Finanza i cili është parashikuar të mbërrijë, në aeroportin “Nënë Tereza”, sot rreth orës 12 -12.30, do të vijë në Shqipëri edhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale të llojit II, dhuratë e strukturës së Komisarit të Jashtëzakonshëm Arcuri prodhimi i të cilave është autorizuar nga Instituti i Lartë italian i Shëndetësisë.

Me mbërritjen në aeroport, grupi i përbërë nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes. do të pritet nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Buçi, dhe nga ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. /a.y/noa.al