Transmetuar më 30-07-2020, 10:35

Seanca e sotme parlamentare ku pritet votimi i ndryshimeve kushtetuese që parashikon hapjen e listave në zgjedhje dhe formulën e re të koalicioneve, është shoqëruar me debate.

Kjo pasi deputeti i opozitës parlamentare, Adriatik Alimadhi deklaroi se në mbledhjen e përbashkët të këshillit legjislativ, ka kërkuar që të shikohen firmat e deputetëve për ndryshimet kushtetuese.

“Këtë shqetësim juridik por të rëndësishëm e kam ngritur në mbledhjen e përbashkët. Do kërkoja që një nga listat ku kanë firmosur deputetët, të na vihej në dispozicion. Shqetësimi është shkelje ligjore. S’mund të mendoj se një deputet ka firmosur për disa apo në emër të disa deputetëve të tjerë. Kjo më duket shkelje proceduriale. E shoh të pamundur mënyrën se si operohet kur Kushtetuta ka një gjithëpërfshirje në gjuhën e saj juridike dhe në rastin konkret kërkohet që 28 deputetët të opozitës parlamentare, kanë firmosur, por unë mendoj se këta deputetë, s’kanë ndërgjegjësim të saktë se për çfarë flitet më sakt për ndryshimet kushtuese”, u shpreh Alimadhi.

Nga ana e tij kryeparlamentari Gramoz Ruçi deklaroi se lista nuk është sekret, por se është publikuar në faqen e Kuvendit

“Deputetët janë në sallë. S’keni pse anatemoni firmëtarët. Nisur nga pikëpamja procedurale me rregulloren e Kuvendit, është legjitime”, tha kreu i Kuvendit.

Sakaq deputeti Korab Lita deklaroi se klasa e vjetër politike kishte mbyllur me çelës votën e shqiptarëve.

“Alimadhi dhe gjithë kolegët të dalin para publikut të marrin votën e sovranit dhe peshën e qeverisë pas zgjedhjeve ta kenë vetëm për votën e sovranit. Të gjithë si ti rrinë si mizat e kalit në partitë e mëdha. Dil në fushë të mejdanit dhe shih sa të vlen lëkura, bëhu deputet dhe hajde përfaqëso kombin”, u shpreh Lita.

Kjo deklaratë e tij solli reagimin nga foltorja të Alimadhit, të cilit nuk iu dha fjala nga kryeparlamentari Ruçi. /a.y/noa.al