Transmetuar më 30-07-2020, 10:24

Një krim i rëndë u shënua në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në Xhafzotaj të Shijakut, ku dy vëllezër të cilët shkuan për të kontrolluar tokën e mbjellë me misër, u sulmuan nga një person që kishte shkuar për të vjedhur, duke bërë që njëri prej tyre të gjejë vdekjen.

Mësohet se ka qenë djali i viktimës, 65-vjeçarit Fiqeri Çalliku, ai që ka gjetur të atin dhe xhaxhanë Fadil Çalliku 63-vjeç, të larë në gjak të goditur në thikë.

I riu ka njoftuar ndihmën e shpejtë, por pavarësisht dërgimit të të atit në spital, Fiqeriu gjeti vdekjen.

Bazuar në deklarimet e familjarëve, viktimat kishin shkuar për të ruajtur misrin, pasi ua kishin vjedhur para disa ditësh.

Pikërisht vonesa për tu kthyer në shtëpi, ka bërë që djali i viktimës të shkojë për të kontrolluar, duke u përballur me skenën e rëndë.

Policia tha zyrtarisht se ngjarja e rëndë u shënuar rreth orës 23:05 të së mërkurës, në Xhafzotaj, Shijak.

Dy vëllezërit Fiqeri Çalliku, 65 vjeç dhe Fadil Çalliku, 63 vjeç, të cilët ishin në tokën e tyre dyshohet se pas një konflikti çasti me një person janë dëmtuar me mjet prerës, ku Fiqeri Çalliku, 65 vjeç, si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Durrësit.

Nga ana e grupit hetimor janë shoqëruar disa persona dhe janë sekuestruar prova materiale në vendngjarje. /a.y/noa.al

Dy vëllezër konfliktohen me personin që shkoi për të vjedhur, vritet njëri prej tyre