Transmetuar më 30-07-2020, 08:54

Në pritje të nisjes së seancës parlamentare të ditës së sotme, ku pritet miratimi i ndryshimeve kushtetuese, për hapjen e listave në zgjedhje Opozita e Bashkuar dënon braktisjen e dialogut në Këshillin Politik nga Partia Socialiste gjatë mbledhjes së djeshme.

Në një deklaratë zyrtare të mëngjesit të sotëm thuhet se pavarësisht vullnetit të opozitar për të vijuar rrugën e dialogut dhe shqyrtimit në mirëbesim të propozimit tonë për konsensus, duke i qëndruar marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 Janarit, Partia Socialiste zgjodhi rrugën e braktisjes së dialogut dhe të ecjes drejt akteve të njëanshme që dhunojnë këto marrëveshje politike të nënshkruara mes palëve.

Në vijim thuhet se opozita edhe në mbledhjen e djeshme tregoi përgjegjshmëri dhe seriozitet duke paraqitur propozimin konkret të kompromisit, për hapjen 100 % të listave të kandidatëve, por se në 5 orë mbledhje, Partia Socialiste nuk dha asnjë arsye për refuzimin e propozimit tonë, duke dëshmuar edhe njëherë mungesë vullneti për dialog.

“Ndryshimet e njëanshme kushtetuese shkatërrojnë konsensusin, thyejnë dhe zhbëjnë marrëveshjet e 5 Qershorit dhe të 14 Janarit të nënshkruara nga vetë Partia Socialiste, dhe sjellin pasoja të rënda për stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit.

Njëanshmëria nuk është rruga demokratike për përcaktimin e rregullave të zgjedhjeve në një vend anëtar të OSBE-së. Njëanshmëria është rruga e autokratëve që i kanë braktisur qytetarët dhe kanë frikë nga vullneti qytetar. Njëanshmëria nuk është në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe as në përputhje me aspiratën e qytetarëve për Shqipërinë në Europë”, deklarohet më tej.

Opozita e Bashkuar nënvizon se është e vendosur ti qëndrojë me besnikëri interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe se dialogu politik është rruga e vetme për gjetjen e konsensusit.

Në qëndrimin e opozitës deklarohet se asnjë akt i njëanshëm nuk është i detyrueshëm për Opozitën dhe aq më pak për qytetarët.

Opozita e Bashkuar ripërsërit apelin për Partinë Socialiste, që të gjejë forcë dhe ti qëndrojë marrëveshjeve që ka nënshkruar, duke hequr dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe duke vijuar dialogun.

“Prishja e konsensusit, thyerja dhe zhbërja e marrëveshjeve që vetë ka nënshkruar, dhe tentativa për të prishur normalitetin e zgjedhjeve të ardhshme, janë provë e qartë e dëshpërimit nga humbja e pushtetit që ka kapur prej kohësh lidershipin e Partisë Socialiste”, deklarohet në mbyllje. /a.y/noa.al