Transmetuar më 29-07-2020, 23:55

Djali i ri që humbi jetën mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit, është Regis Runaj, shok i ngushtë i Emiljano Ramazanit. Runaj është gjetur i vdekur pranë varrezave në lagjen "Emin Matraxhiu" në Elbasan.

I ndjeri, rreth 23-vjeç dyshohet se është vrarë duke u përdorur thikë. Dyshimet janë se pasi e kanë vrarë, autorët e kanë lënë buzë rrugës që të çon afër varrezave. I riu u gjet në gjendje kritike dhe ndërroi jetë teksa transportohej për në spitalin e Elbasanit.

Policia tha sonte se ka identifikuar një autor të dyshuar. Megjithatë nuk ka gjurmë të vendndodhjes së tij.

Vrasja e Runajt, vjen pasi pak ditë më parë, më 20 korrik u vra edhe shoku i tij, Emiliano Ramazani, i cili u qëllua me pesë plumba pistolete ndërsa gjendej në makinën e tij, tek vendi i njohur si "Rrethrrotullimi i luleve" në hyrje të qytetit të Elbasanit.

Për Ramazanin u evidentuan dyshimet se ai mbeti i vrarë në kushte të mosmarrëveshjeve për narkotikë.

Ramazani, 40 vjeç, ishte përballur me hetime policore në vite, për trafik lëndësh narkotike. /noa.al/

Njoftimi i plotë:

Rreth orës  22:10, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan,  në rrethana ende të paqarta në një rrugicë të kësaj lagjeje  është gjetur  shtetasi R.R., 23 vjeç  i plagosur me mjet të mprehtë (thikë), i cili është transportuar në Spitalin Rajonal Elbasan, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe aktualisht vijon krehja e zonës për kapjen e autorit/ëve

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke punuar  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes  me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.