Transmetuar më 29-07-2020, 13:30
Arben Kraja

Aksioni i SPAK për arrestimin dhe procedimin e 22 personave që abuzuan dhe kryen vjedhje gjatë votimeve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në zonën e Shijakut u zbeh dje me faktin se dy nga personat që ndaj të cilëve ishte lëshuar urdhër arresti rezultonin të vdekur. Kasëm Lala dhe Besim Bregu kanë ndërruar jetë pak kohë përpara arrestimit që mendoi SPAK dhe kjo për opinionin la një shije jo të mirë.

Por si ka mundësi të ndodhte kjo? Arben Kraja, kryeprokurori i SPAK flet për gazetën “Fjala” duke sqaruar gjithçka që ka ndodhur. Sipas tij, prokurorët nuk e mësuan këtë fakt më parë sepse hetimi dhe operacioni ka qenë i fshehtë dhe më kryesore është se të dy personat nuk ishin ç’regjistruar në Gjendjen Civile. Si e tillë SPAK u vendos përballë një fakti që nuk dihej. Kraja gjithashtu flet dhe për hetimin e mëtejshme të dosjes 339 dhe pritshmëritë e saj.

Zoti prokuror, si ka mundësi që rezultoi që dy persona kishin vdekur më parë se ju tu dërgonit urdhër-arrestet?

Për gjithë opinionin publik po sqaroj se operacioni në fjalë ka qenë i fshehtë. Ai është bërë në kushte të veçanta dhe duke qenë se personat nuk paraqesin rrezikshmëri ne kemi proceduar në një formë jo publike. Pikërisht këtu ndodhi ajo që mund të ndodhë në këto kushte. Ne nuk mund të shkonim më parë në shtëpitë e tyre për të verifikuar sepe kjo do dëmtonte të gjithë hetimin. Ka patur edhe raste të tjera dhe nuk është probleme shqetësuar. Në momentin që policia shkopi të zbatonte vendimin për arrestim rezultoi që ata kishin ndërruar jetë përpara një muaji. Një i pandehur mund të vdesë edhe në sallën e gjyqit dhe kjo gjë edhe ka ndodhur.

Zoti Kraja, a do ishte më mirë që më parë të bëhej verifikimi i tyre dhe më pës të dërgoheshin urdhër-arrestet?

Jo. E thashë edhe më lart. Nuk mund të shkonim as ne e as policia te shtëpia sepse dekonspirohej aksioni. Operacioni dhe hetimi ishte i fshehtë. Në raste të tjera, këto bëhen me operacione speciale në të cilat angazhohen forcat speciale. Kjo gjë dihet. Ne nuk operuam me forca speciale sepse është karakter tjetër.

A do mbajë përgjegjësi dikush nga SPAK për këtë që ka ndodhur?

Nuk ka pse të mbajë përgjegjësi kush dhe nuk ka ndodhur gjë. Unë po ju sqaroj që në praktikën e punës kjo mund të ndodhë. Pastaj po ju them edhe një fakt. Të dy personat që kishin vdekur nuk janë çregjistruar nga gjendja civile. Atëherë se mund ta dinim ne si SPAK që ata kishin ndërruar jetë?

Si do procedohet më tej tani që jemi përpara këtij fakti?

Policia ka shkuar në banesë dhe tashmë ka përgatitur një relacion. Ky do paraqitet në gjykatë dhe gjykata do procedojë sipas asaj që ndodh në kësi rastesh.

Gjithsesi zoti prokuror, mirë fare do ishte që kjo të mos ndodhte. A lë kjo një shije të keqe për SPAK sipas jush?

Sigurisht që kjo gjë ishte mirë që të mos ndodhte. Por ndodhi. Unë nuk kam asgjë për të shtuar përveç atyre që ju sqarova më larg. Unë dhe kolegët e mi jemi të sinqertë dhe të hapur për këtë.

Zoti prokuror kam edhe një pyetje me hetimin. Si ka mundësi që arrestohen me lehtësi peshqit e vegjël dhe ata të mëdhenjtë nuk i kap rrjeta? A do shkojë ky hetim te ata që mund të kenë dhënë urdhra? Sepse nuk beson kush që këtë komisionerët të kenë vepruar pa urdhrin e dikujt më lart.

Ne jemi profesionistë dhe kjo që thoni është ti paragjykosh dhe gjykosh këdo pa patur asnjë provë dhe fakt. Ne jemi duke hetuar dhe nëse rezulton një gjë e tillë ne do procedojmë. Garantojmë dhe sigurojmë të gjithë opinionin se ne jemi duke punuar me përkushtim.

Urdhër arrestet për dosjen “339”, policia zbulon se dy nga komisionerët kanë ndërruar jetë