Transmetuar më 28-07-2020, 13:26

Miratohet nga ana e Inspektoratit të Shëndetit Publik, protokolli për lejimin e pishinave në ambiente të hapura.

Ky protokoll përmban kushtet dhe rregullat për të orientuar dhe rekomanduar subjektet që ofrojnë shërbime në aktivitetin e pishinave në ambiente të hapura dhe strukturave të tjera të aktiviteteve të ujit, për masat e nevojshme që duhet të ndërmerren përgjatë periudhës së pranisë së infeksionit Covid- 19, për të parandaluar rrezikun e përhapjes së këtij infeksioni dhe me qëllim mbrojtjen e shëndetit të personelit në pishina dhe të pushuesve/vizitorëve që i frekuentojnë.

Protokolli është i hapur për ndryshim në përputhje me dinamikën e situatës së infeksionit Covid- 19.

Në protokoll përcaktohet se çdo subjekt që ushtron aktivitetin e pishinave në ambiente të hapura rekomandohet të adaptojë këtë protokoll dhe të afishojë masat respektive në vende qartësisht të dukshme dhe pranë korridoreve të kalimit te njerëzve, mbështetur me materiale të ndryshme promovuese dhe informuese që informojnë mbi masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e infeksionit Covid-19.

ISHP bën me dije se protokolli i masave anti Covid-l9 për aktivitetin e pishinave në ambiente të hapura dhe strukturave të tjera të aktiviteteve të ujit”, është një dokument që rekomandohet të zbatohet nga subjektet që ofrojnë për pushuesit/vizitorët, shërbime në pishina dhe struktura të tjera të aktiviteteve të ujit, për të garantuar mbarëvajtjen e funksionimit të tyre.

Çfarë parashikon protokolli

Lejohet të operojnë në të gjithë vendin vetëm pishinat në ambientet e hapura, duke respektuar kërkesat e legjislacionit në fuqi.

Ndalohet operimi i pishinave në ambiente të mbyllura deri në një urdhër të dytë.

Masat higjieno sanitare dhe të distancimit fizik

Ushtrimi i aktivitetit të pishinave dhe strukturave të tjera të aktiviteteve të ujit në ambiente të hapura të kryhet duke respektuar masat higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik si më poshtë:

-Stafi i shërbimit, që ka kontaktet me pushuesit/vizitorët duhet të përdorë maskë mbrojtëse.

-Të përcaktohet numri i pushuesve/vizitorëve që e përdorin pishinën në raport me sipërfaqen e saj: të funksionojë me 50% te kapacitetit që është llogaritur.

-Uji i pishinës të pastrohet nga qarkullimi përmes një sistemi filtrimi të detyrueshëm.

-E gjithë zona dhe të gjithë objektet e pishinës dhe të banjave duhet të dezinfektohen të paktën një herë në ditë, dhe më shpesh nëse fluksi i pushuesve /vizitorëve është në maksimumin e lejueshëm.

-Klorinimi i ujit të bëhet rregullisht sipas standardeve.

-Hapësira midis grupeve duhet të jetë të paktën 3.5 metër dhe të markuara.

-Të gjitha ulëset, tavolinat, vendet e depozitimit të sendeve personale, listat e çmimeve dhe materiale të tjera duhet të dezinfektohen pasi vizitorët të largohen dhe përpara se një vizitor tjetër ti përdorë ato.

-Të matet temperatura e personelit dhe pushuesve/vizitorëve para se të futen në mjedisin e pishinës apo strukturave të lojërave të ujit dhe të ndalohet hyrja e çdo personi me temperaturë mbi 37.5 ° C.

-Nëse ndonjë pushues/vizitor shfaq simptoma të Covid- 19, ata duhet të largohen menjëherë nga pishina ose strukturat e tjera të aktiviteteve të ujit.

-Të gjitha veshjet dhe sendet personale duhet të ruhen brenda çantës personale, edhe nëse depozitohen në vendet e depozitimit të sendeve personale, rekomandohet të mos vendosen drejtpërdrejtë, por të futen në qese plastike, të cilat duhet lë jenë prezent pranë vend depozitimit. /a.y/noa.al