Transmetuar më 25-07-2020, 15:32

Shefja e Komitetit Anti-Covid-19 si dhe Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, pavarësisht këshillave që jepen nga ana e saj dhe tërë ekipit që monitoron COVID-19, në vendin tonë, ka treguar përmes një fotoje, se ‘medalja ka dy anë’.

Nga njëra anë, ashtu siç jepen këshillat, ajo shfaqet në ekran duke këshilluar publikun, me maskë dhe duke mbajtur distancën nga intervistuesi, por ana tjetër e medaljes: pa maskë dhe pa ruajtur distancën, në të njëjtën studio. Edhe virusi mund të ketë një moment pushimi?!

Gazetari investigativ Artan Hoxha, bëri publike dy foto me Rakacollin, duke vënë në dyshim seriozitetin e zbtatimit të masave anti-COVID, edhe nga hartuesit e tyre.

"Në studio, ku i shikon populli, mbajnë maskë të zezë, si moderatori (që nuk ka faj, pasi është i detyruar të zbatoje urdhrin që i ka ardhur nga lart) ashtu dhe shefja e Komitetit Anti-Covid-19, Mira Rakacolli", thotë ai.

"Pastaj kur mbaron transmetimi, dhe nuk janë më para kamerave, që t’i shohë populli, s’ka me as distancim fizik, as maskë, si ajo qe mban qoftlargu, madje takohen e përqafohen, pa e vrarë mendjen për spërklat e Piperos".

"Tani kë të besojmë, atë që shohim ‘live’, në studio, me maska të zeza në fytyrë, apo atë që shohim te dera e televizionit"…

"Hajde kazan hajde, kazan bakri dhe i kallaisur mirë nga qeveria, o Agush."

"Fiks ajo shprehja popullore: Bëni si them unë, mos bëni si bej unë”…

"Në foto: Rakacolli ne studion e Report tv, dje pasdite me maskë në fytyre, dhe Rakacolli te dera e televizionit pa maskë dhe respektim të distancimit fizik", shkruan Artan Hoxha, i cili vë në pikëpyetje seriozitetin mbi rregullat që imponohen për t’u mbrojtur nga COVID.

/NOA.al