Paralajmërimi i gazetarit që kaloi COVID: Të rikthemi në karantinë, ose në vjeshtë të vdesim korridoreve të spitaleve pa pikën e dinjitetit”
Transmetuar më 24-07-2020, 16:35

Situata e fundit me Covid-19 në Kosovë është e ngjashme me atë në Shqipëri, madje për nga shifrat e raportuara, ajo paraqitet me kalimin e ditëve edhe alarmante, si andej, edhe këtej.

Berat Buzhala, gazetari i njohur kosovar i prekur pak javë më parë nga Covid-19, e ka kapërcyer sëmundjen, por humbi të atin.

Nga kjo situatë Berat Buzhala sot ka bërë thirrje, duke sjellë edhe shembuj të fundit.

"Dy mjekë vdiqën prej Covid’it brenda disa orëve. Njëri në  Prishtinë dhe tjetri në Gjakovë. Pasi kam shkraru shumë për këtë, e duke e ditur që unë dhe familja kemi kaluar nëpër këtë rrugë, për çdo ditë po më kontaktojnë shumë persona, për të më pyetur “qysh me ia bo?” me babën ose nanën që e kanë të semurë", thotë në rrëfimin e tij Buzhala.

Më tej ai shton: Merreni si të doni, ama kur të vijë shtatori, kur të ulen temperaturat, kur të kthehen viruset sezonale, kur kemi me pasur infeksione më të mëdha, kur krejt këto të përzihen, njerëzit kanë për të vdekur nëpër korridore të spitaleve pa pikën e dinjitetit, pa mundur të marrin dot as perkujdesjen minimale", thotë ai.

Buzhala shton më tej, se kjo nuk është mënyra e duhur për të folur, por sipas tij që ka kaluar COVID, e tillë është situata, prandaj duhet rikthyer karantina masive.

"E di që po ju thyej zemrat ju, edhe vetes, mirëpo shpresa e vetme është që me u fut në karantinë të plotë për nja 3-4 javë, në mënyrë qe me rikthyer situatën nën kontroll".

"Nëse jo, shihemi më vonë. Une dhe familja ime e kemi kryer, së paku për disa muaj, kuptohet me një çmim bukur të naltë. Nuk po flas pra, prej tutës", mbyll reagimin e tij Berat Buzhala.

Në fakt, në Kosovë ideja e karantinës nuk është përjashtuar nga autoritetet, ndërsa në Shqipëri ajo do të jetë në varësi të shtimeve në spitale. Nëse spitalet e Infektivit nuk do përballojnë situatën, vetëm atëherë nuk përjashtohet mundësia e një izolimi të dytë.

/NOA.al

Loading...