Transmetuar më 22-07-2020, 15:00

Shërbimet e reanimacioneve, veçanërisht për të përballuar komplikacionet e rënda të Covid kërkojnë parametra speciale që nga ajrimi, monitorimi i plotë hemodinamik, ventilimi, monitorimi qendror, etj., etj., deri te ECMO. Dëgjova dikë që justifikohej me mungesën e kapaciteteve njerëzore. Së pari kjo nuk e shfajëson atë, përkundrazi…

Nga Tritan Shehu

Këto po jua përsëris jo vetëm si “mjek i politikes”, gjë që e quaj përgjegjësi, por dhe si reanimator me eksperiencë, që për mua është nder!

Kur nuk liberalizoni testimet e dështoni në kërkimin epidemiologjik, kur shëndeti parësor lihet si i “njerkës”, kur spitalet e rretheve janë ashtu si janë, i gjithë presioni po përplaset në repartin infektiv, në “Shefqet Ndroqin”, e më tej aty ku ndahet “Jeta nga Vdekja” ne shërbimet e Reanimacionit.

Janë këto të fundit ku ne kemi humbje të konsiderueshme për arsye të problemeve të sistemit, apo prej strukturave të tyre larg standardeve europiane.

Shërbimet e reanimacioneve, veçanërisht për të përballuar komplikacionet e rënda të Covid kërkojnë parametra speciale që nga ajrimi, monitorimi i plotë hemodinamik, ventilimi, monitorimi qendror, etj., etj., deri te ECMO.

Dëgjova dikë që justifikohej me mungesën e kapaciteteve njerëzore.

Së pari kjo nuk e shfajëson atë, përkundrazi.

Së dyti ne kemi një grup të shkëlqyer reanimatorësh e personeli, që mund të mobilizohen duke i krijuar kushtet, midis tyre dhe monitorimin qendror.

Së treti kemi specialistë të trajnuar edhe për ECMO në Monza të Italisë, por nuk kemi ECMO.

Së katërti duhen vënë në shërbim të këtyre pacientëve ambientet më të mira ekzistuese të reanimacionit në QSUT, duke instaluar aty teknologji suplementare, monitorim qendror etj.

Së katërti po ju kujtoj se Italia shtoi 5000 vende moderne reanimacioni, Gjermania 8000 në 3-4 javë, Franca, Spanja etj., po kështu, ndërsa ne prej shkurtit…, kur së paku duhen dhe 100 poste të reja të tilla.

Ajo çfarë po modifikohet tek Kirurgjia e Vjetër është larg standardeve të terapisë intensive.

Në këto kushte tejet të vështira duhen veprime energjike, financime, së bashku me prezence ndërkombëtare në nivelin epidemiologjik, mjekues e reanimator, për të cilin Italia, tashmë me eksperiencë, infrastrukturë, e “çliruar”, duhet të ftohet nga Qeveria.