Transmetuar më 21-07-2020, 19:32

Biznesmeni i njohur shqiptar, Latif Kryeziu ka ndërruar jetë ditën e sotme, njoftoi familja. Trishtim për vdekjen e të ndjerit, shprehën dhe zyrtarët e lartë të shtetit.

Kryeziu i cili ishte pronar i kompanisë së njohur të derivateve “Al-Petroll” e së fundi solli edhe brendin e njohur “Shell”, e ka humbur betejën me koronavirusin ndërsa ishte duke u trajtuar në një klinikë në qytetin e Shkupit.

Pronari i Shell Kosova, Latif Kryeziu i njohur dhe me mbiemrin Bubaveci, kishte mbi 60 pika karburanti në të gjithë Kosovën.

Ish-kryetari i Agjencionit Kosovar të Bizneseve, Agim Shahini, u shpreh: "Latif Kryeziu nuk jemi duke besuar se na ike kaq shpejt, nuk do ju harrojmë kurrë ty dhe veprat tua që bëre për ekonominë e Kosovës.

Latif Kryeziu

Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha:  "Më pikëlloi shumë vdekja e hershme e biznesmenit Latif Kryeziu. Ai ishte mbështetës i përpjekjeve tona për liri e pavarësi dhe i luftës sonë çlirimtare. Si një prej biznesmenëve më të suksesshëm në Kosovë, ai kontribuoi shumë për ekonominë e vendit tonë. Ngushëllime familjes Kryeziu, bashkëpunëtorëve dhe gjithë të afërmve të tij. "

Latif Kryeziu

Edhe Kadri Veseli lëshoi një koment: "Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e mikut tim Latif Kryeziu, sipërmarrësit të suksesshëm që krijoi mijëra vende pune dhe atdhetarit të madh që dha mbështetjen meritore për kauzën tonë kombëtare. Vdekja e hershme e tij është një humbje e madhe për Kosovën. Latif Kryeziu arriti ta vendosë vendin tonë në hartën e bizneseve ndërkombëtare dhe kompanive multinacionale, duke sjellë tek ne brendin e mirënjohur “Shell”. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij! Ta kujtojmë përherë për veprat e mira që la pas!" /noa.al/